
Të ardhura nga Italia, materialet e posaçme do të veshin strukturën metalike të velës. Procesi konsiderohet mjaft delikat dhe parashikohet të zgjasë rreth dy muaj, pas nisjes së punimeve. Projekti i Velierës për rregullimin e sheshit para portit të Durrësit dhe përbri Torrës Veneciane u realizua në vitin 2016 nga një studio shqiptare dhe një studio italiane arkitekture.
Punimet për rigjallërimin e këtij sheshi u shoqëruan nga debate të shumta dhe kohët e fundit punimet nga dy firmat realizuese të projektit ishin ndërprerë. Mbërritja e këtyre materialeve i hap dritën jeshile vazhdimësisë për përfundimin e projektit që synon të ofrojë një shesh të ri publik për qytetin dhe vizitorët e tij.
Tenda e madhe prej guri e konceptuar si një velë do të krijojë hije dhe mbrojtje për sheshin poshtë saj ku parashikohet të organizohen edhe shfaqje të ndryshme në ambient të hapur, po njëkohësisht të mbuluar.