Takimi Zelensky – Ursula von der Leyen, diskutime për integrimin e Ukrainës në BE

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky zhvilloi një takim me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, pas vizitës së papritur që bëri në Kiev për të shënuar Ditën e Evropës.

Dy liderët diskutuan për një paketë të re sanksionesh kundër Rusisë që BE-ja po përgatit, si dhe përparimin e Kievit në negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Europian.

“9 maji është një ditë për të festuar paqen dhe unitetin në Evropë. Të kujtojmë mësimet e historisë sonë dhe të angazhohemi për t’i lënë një të ardhme më të mirë brezave të ardhshëm. Me guxim, Ukraina po lufton për idealin e Evropës që ne festojmë sot. Komisioni përcaktoi qartë shtatë hapat që Ukraina duhet të ndërmarrë përpara se Komisioni t’u rekomandojë shteteve anëtare për të nisur negociatat e anëtarësimit. Prioriteti i menjëhershëm tani është që tranziti i grurit të shkojë pa probleme dhe në koston më të ulët të mundshme jashtë Ukraina drejt Bashkimit Evropian. Kjo kërkon një bashkëpunim shumë të ngushtë të aktorëve të ndryshëm”, tha Ursula von der Leyen – Kryetarja e Komisionit Evropian.

Nga ana tjetër lideri ukrainas kërkoi më shumë ndihma në municionet luftarake, për ti bërë ballë luftës që Rusia po zhvillin në vendin e tij. Njëkohësisht kritikoi kufizimet që disa vende të BE-së kanë vendosur mbi eksportet e grurit nga Ukraina.

“Përpjekjet për një Evropë të bashkuar, për siguri dhe paqe duhet të jenë po aq të forta sa dëshira e Rusisë për të shkatërruar Evropën tonë. Vlerat tona, siguria, mirëqenia, paqja në kontinent, e gjithë kjo mund të arrihet 100% për Evropën vetëm së bashku me Ukrainën. Ne presim që në qershor Komisioni Evropian të paraqesë një vlerësim të ndërmjetëm pozitiv të përparimit të Ukrainës drejt integrimit evropian”, u shpreh Volodymyr Zelensky – President i Ukrainës.