Përdorën faqen zyrtare të institucioneve për të bërë fushatë për PS, KAS gjobit 5 ministri, ja emrat e zyrtarëve të përfshirë

Sipas vendimit të KAS, gjoba prej 2500 lekësh iu vendosën Ledina Agalliut, Sekretare e Përgjithshme në Ministrinë e Turizmit, Zerina Brucit nga Ministria e Kulturës; Ismail Shehut nga Ministria e Drejtësisë, Joana Duros nga Ministria e Shëndetësisë dhe Risena Xhajës nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë.
Denoncuesi dhe më pas administrata e KQZ-së konstatoi se në faqet e këtyre ministrive kishte postime të shoqëruara me hashtag-e me sloganë elektoralë të Partisë Socialiste, “ska kohë për pushim” dhe ‘Shqipëria e ardhmja jonë”.
KRIIK ishte denoncuar edhe 10 ministra për përdorimin e faqeve të tyre zyrtare në Facebook për shpërndarje të propagandës elektorale të Partisë Socialiste në fushatë, por Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirian Celibashi, nuk i përfshiu në hetim administrativ duke i cilësuar si faqe personale të tyre.
Denoncimi përfshinte edhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, për të cilën Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve nuk propozoi masë administrative.
Gjithashtu, KAS me shumicë votash pranoi pjesërisht kërkesën e Komisionerit dhe vendosi sanksionin administrativ, gjobë në masën 100 000 lekë për z. Rakip Suli, kryetar dhe kandidat i Bashkisë Kamëz, pasi ka përdoruar faqen zyrtare të bashkisë Kamëz për të reklamuar fushatën e tij si kandidati i PS-së në zgjedhjet vendore të 14 majit.
Ndërkohë, Celibashi ka nxjerrë urdhër për fshirjen e të gjitha postimeve me përmbajtje politike nga faqet e Facebookut të të gjithë institucioneve qendrore e vendore.
KQZ po shqyrton denoncime të tjera me të njëjtin objekt ku KRIIK ka konstatuar se faqet zyrtare të ministrive, ministrave dhe zyrtarëve të tjerë shtetërore po përdorin edhe sloganet e fushatës ” #VetëmPërpara #Kurrëmëmbrapa” që identifikohen direkt me Partinë Socialiste./BIRN