“Gati protestat e qëndrueshme”/ Berisha: Rama bleu votat me “zarf”

Lideri i opozitës, Sali Berisha, premtoi se nuk do të tërhiqet nga beteja për denoncimin e parregullsive të procesit zgjedhor të 14 majit.

Gjatë një konference me gazetarët, Berisha përsëriti se në këtë situatë prioritet për demokratët mbetet faktimi i tjetërsimit të vullnetit të qytetarëve, duke listuar disa prej veprimeve të qeverisë, të cilat sipas tij ndikuan në garën për 61 bashkitë e vendit.

 “Edi Rama për herë të parë në histori dërgoi zarfin me 50 mijë lekë për 680 mijë pensionistë. Edi Rama rriti rrogat e dhjetëra mijëra pensionistëve në mes të fushatës elektorale. Është hera e parë që 1.3 milionë zgjedhësve u ndryshohet qendra e votimit pa asnjë paralajmërim. Është hera e parë që komisionet zgjedhore ishin 6 me 1 ose 7 me 0 për qeverinë. Si kurrë më parë, administrata u shndërrua në një polici elektorale.”

Berisha artikuloi akuza edhe për ndikim në zgjedhje të Dan Hutrës, personit të akuzuar për vrasjen e 3 grave e plagosjen e 3 të tjerave.

Pas masakrës ndaj grave, Rakip Suli ka zhdukur dosjen e Dan Hutrës. Ka dëshmi dhe fakte se Dan Hutra drejtonte një nga bandat kryesore të mbledhjes së votave për Rakip Sulin.”

Ndërsa përsëriti se analiza për problemet e vetë opozitës në zgjedhje do të bëhet, Berisha vuri në dukje një të metë në aksionin e demokratëve.

Ajo që nuk është bërë është protesta e qëndrueshme. Për këtë mund të më kritikojnë shqiptarët, por ajo do bëhet.”

Në raport me betejën e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025, lideri historik i demokratëve, Berisha, deklaroi se opozita do të kërkojë vendosjen e votimit të detyruar, siç e ka Greqia.

Dy elemente kemi, voten me detyrim dhe garantimin e votes se emigranteve”.

Aktualisht në parlament funksionon prej vitit të kaluar komisioni për reformën zgjedhore, në të cilin demokratët e drejtuar nga Sali Berisha kanë vetëm një anëtar e vështirë se kërkesat e tyre do të merren parasysh.