Dëbimi i gazetarit nga truproja i Ballukut, reagon Tedi Blushi: Ndal dhunës kriminale, drejtësia të ndëshkojë autorin

Në një reagim të bërë në Facebook, Blushi shprehet se duhet të ndalet dhuna kriminale ndaj gazetarëve, ndërsa i bën thirrje autoriteteve që të reagojnë dhe të ndëshkojnë autorin.
Reagimi i plotë:
Ndal dhunës kriminale ndaj gazetarëve!
I telefonova gazetarit kurajoz të News 24, kolegut të nderuar, z.Enver Doçi për t’i shprehur të gjithë solidaritetin dhe mbështetjen, pas dhunës që u ushtrua sot në Bulqizë ndaj tij, në krye të detyrës, nga badigardi i Zv/Kryeministres Ballaku!
Nuk është hera e parë që ndaj kolegut Doçi ushtrohet dhunë nga banditë me uniformë! Ndaj bëj thirrje drejtësisë që frymëzuesit dhe autori i dhunës të marrë ndëshkimin e merituar ligjor!
Kjo ngjarje shumë e rëndë, ndodh vetëm pak ditë pasi “Reporterët Pa Kufij” e renditën Shqipërinë të fundit në rajon për lirinë e medias dhe dhanë alarmin për kushtet shumë të rënda në të cilat punojnë reporterët tanë.
Një regjim i ngritur mbi propagandën, mashtrimin, censurën, në “lajmet” me “kaseta dhe montazhe të gatshme”, që hedh në erë me tritol bizneset e pronarëve të mediave, mbyll televizionet dhe i ble të tjerat me paratë e korrupsionit, nuk është gjë tjetër veçse armik i fjalës së lirisë, i transparencës dhe demokracisë!
Ndaj më 14 Maj është dita për Ndëshkim!