
Presidenti Bajram Begaj ka bërë me dije se Ministria e Jashtme i ka dërguar një relacion lidhur me Çështjet e Detit me Greqinë. Begaj sqaroi se kërkesën e Ministrisë për “aprovimin” e tij, për zgjedhjen e grupit negociator shqiptar dhe nisjen e diskutimeve me palën e greke, e vlerëson me intensitet maksimal.
Deklarata pozitive e Begajt, gjatë konferencës së përbashkët me homologun polak, do i hapë rrugë diskutimeve mes palës shqiptare dhe asaj greke, për të dërguar në Hagë propozimet e tyre për çështjen e detit.
“I thashë shyqyr zotit që nuk kemi probleme mes dy vendeve. Aktualisht me Greqinë fqinje kemi një çështje. Po është e vërtetë që kam një kërkesë nga ana e Ministrisë së Jashtme që është shoqëruar me relacion. Si president këtë kërkesë e vlerësoj me intensitet maksimal dhe gjetjen e zgjidhjes që do të jetë e bazuar në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, aktet e marrëveshjes ndërkombëtarë, rregullave të fqinjësisë së mirë. Greqia është partner strategjik i vendit”, tha Begaj.
Më 20 tetor 2020, Shqipëria konfirmoi se ka rënë dakord me Greqinë për t’iu drejtuar Gjykatës së Hagës, për të zgjidhur çështjen e kufizimit të zonave detare mes dy vendeve, shqyrtim i cili në gjykatën ndërkombëtare në Hagë u konfirmua gjatë vizitës në Tiranë të ministrit të Jashtëm të Greqisë, Nikos Dendias.