
Në takim u diskutua mbi reformat e ndërmarra nga Qeveria dhe progresi i shënuar, rrugëtimin evropian dhe procesin e dialogut.
Kryeministri Kurti e njoftoi eurodeputetin Kovatchev me arritjet kryesore të qeverisë, e cila javën tjetër mbush plot dy vjet, duke veçuar sukseset në sundimin e ligjit dhe luftimin e korrupsionit të reflektuara dhe në raportet e rankimet ndërkombëtare.
Sipas njoftimit të Qeverisë, u fol edhe për takimin e radhës të nivelit të lartë politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në ndërmjetësimin e BE-së që do të mbahet më 18 mars në Ohër, dhe për pritjet nga ai takim.
Eurodeputeti Kovatchev theksoi se heqja e regjimit të vizave për Kosovën duhet të vazhdojë pa vonesa, teksa kanë mbetur edhe pak hapa deri në përfundimin e këtij procesi. Ai po ashtu dha mbështetjen e tij të plotë për aplikimin e Kosovës në Bashkimin Evropian.