Prezantohet “Letërkëmbimi Camaj-Pipa, 1959-1992”, Nikolla: Diaspora, kontribut historik

TIRANË, 28 shkurt: Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla mori pjesë sot në prezantimin e librit “Letërkëmbimi Camaj-Pipa, 1959-1992”, organizuar në Fakultetin Histori-Filologji të Universitetit të Tiranës, në mbyllje të edicionit të 8-të të Ditëve të Kujtesës 2023.

Në këtë veprimtari morën pjesë studiues e pedagogë të letërsisë si edhe drejtues të Universitetit të Tiranës dhe Fakultetit Histori-Filologji. Veprimtaria u mbështet nga Fondacioni “Konrad Adenauer” dhe Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë.

Në fjalën e saj në këtë takim, Nikolla nënvizoi se “prezantimi i këtij libri dëshmon se ditët e kujtesës nuk kanë vetëm përmasa historike e politike, por edhe një përmasë të rëndësishme kulturore, letrare dhe intelektuale”.

Sipas saj, “disidenca dhe rezistenca antikomuniste nuk ka qenë vetëm një qëndresë politike, por edhe një proces kulturor dhe intelektual”.

“Mendimi intelektual, pikëpamjet demokratike të intelektualëve dhe shkencëtarëve shqiptarë, nga brenda dhe jashtë Shqipërisë, përveç se një oponencë e fortë e regjimit, ishin një sinjal i kulturës dhe vlerave perëndimore, një ‘spirancë’ e shoqërisë së izoluar shqiptare në valët e demokratizimit dhe qytetërimit perëndimor. Pavarësisht dallimeve dhe asimetrisë mes këtyre dy personaliteteve, Martin Camaj si shkrimtar e gjuhëtar dhe Arshi Pipa si shkrimtar e studiues i letërsisë, dakordësisë a kundërshtimit me pikëpamjet e tyre, një gjë është e qartë: Camaj dhe Pipa janë pjesë e kontributeve dhe ndikimit të diasporës në zhvillimin e kulturës shqiptare dhe njohjen ndërkombëtare të saj”, tha ajo.

Nikolla vlerësoi se Camaj dhe Pipa janë dy “kambana”, secila me jehonën e vet, në diasporën, kulturën dhe botën shqiptare.

“Krijimtaria e tyre, duke qenë e shkëputur prej makinës së censurës komuniste dhe e çliruar prej saj, ndikoi që diaspora t’i jepte kulturës botërore një pasqyrë tjetër të kulturës shqiptare”, tha Nikolla.

Sipas saj, “ky është një fakt që duhet mbajtur parasysh në vlerësimin e kontributit historik të diasporës në zhvillimin e kulturës”.

“Camaj më shpejt dhe Pipa më vonë ikën të dy të pakënaqur nga Shqipëria. Ikën sepse vendi i tyre nuk ishte ai që ata dëshironin. Ata ikën të detyruar nga Shqipëria politike, por me krijimtarinë e tyre pasuruan diasporën, kulturën dhe botën shqiptare. Libri që prezantohet sot është një nga kthimet dhe rikthimet e tyre në Shqipëri”, shtoi ajo.

/m.m/r.e/