Zëri i Amerikës: Rama mohon të ketë lidhje mes tij dhe akuzave ndaj ish zyrtarit të FBI-së

Në Shqipëri, kryeministri Edi Rama mohoi kategorikisht që të ketë lidhje mes tij dhe akuzave të ngritura në Shtetet e Bashkuara ndaj ish-zyrtarit të FBI-së, Charles McGonigal se ka marrë para nga një ish-punonjës i shërbimeve inteligjente shqiptare dhe për mos-raportimin e kontakteve dhe lidhjeve me zyrtarë të shteteve të tjera.

Duke folur me gazetarët pas një takimi pune në selinë e Partisë socialiste, zoti Rama deklaroi se “në aktpadinë konkluzive nuk ka absolutisht asnjë gjë që të lidhet me mua dhe me qeverinë e Republikës së Shqipërisë, përvec faktit që jemi takuar këtu e atje. Drejtësia amerikane ka hetuar plotësisht dhe ka ngritur akuzë ndaj personit, për konflikt interesi për një borxh të marrë nga shoku i tij shqiptaro-amerikan nga Tropoja, që jetojnë bashkë në New York”.

Sipas akt-akuzës, ish zyrtari i FBI-së rezulton të ketë marrë një shumë prej 225 mijë dollarësh nga shqiptaro-amerikani Agron Neza. Kishte qenë vetë McGonigal që në gusht dhe më pas në shtator të vitit 2017 i kishte kërkuar Nezës nëse mund t’i siguronte një sasi parash, të cilat ky i fundit ia dha përgjatë vjeshtës së atij viti në tre episode të ndryshme.

Por përveç Nezës, në akt-akuzë shfaqen dhe lidhje të tjera të ish zyrtarit të FBI-së me personazhe të tjerë nga Shqipëria, ku ai realizoi disa vizita, gjatë së cilave zhvilloi dhe takime me kryeministrin Rama. Së bashku ata u takuan më pas dhe në New York. “Interesi im ka qenë që të shkëmbej biseda e opinione lidhur me ato fusha ku sigurisht ai ishte një ekspert i nivelit të lartë, krimi korrupsioni, pastaj Amerika, Ballkani Shqipëria, asnjë lloj marrëdhënie tjetër”, deklaroi të mërkurën në mbrëmje kryeministri.

Takimet mes tyre janë zhvilluar gjithnjë në prani të Nezës dhe Dorian Duçkës të cilin akt-akuza e përshkruan si “i punësuar nga një konglomerat kinez energjie. Një këshilltar jozyrtar i Kryeministrit të Shqipërisë, i cili kishte një llogari emaili dhe pasaportë zyrtare të qeverisë shqiptare dhe ka qënë ish-zyrtar i lartë i qeverisë shqiptare”.

Zoti Rama nuk dha asnjë shpjegim se përse takimet me ish zyrtarin e FBI-së janë zhvilluar në prani të personave privatë, por dha disa shpjegime rreh marrëdhënieve të tij me ta. Për zotin Nezën ai tha se “nuk e kam njohur më parë asnjë herë. Nuk kam shkëmbyer as letra, as interesa dhe asgjë tjetër, por e kam takuar vetëm në praninë e ish zyrtarit të lartë të FBI-së”.

Sa i përket zotit Duçka u mjaftua të shprehej se “ka qenë zëvendësministër i Energjitikës, në koalicionin e vitit 2013 dhe pastaj për një farë kohe ka punuar pranë meje pa pagesë”. Zoti Rama nuk dha shpjegim se deri kur zoti Duçka ka punuar pranë tij. Herën e fundit që ata janë parë së bashku, të paktën publikisht, ka qenë në qershor të vitit të shkuar, kur zoti Duçka ishte pjesë e delegacionit që shoqëronte zotin Rama gjatë vizitës së tij në Kiev, e madje ishte dhe në tryezën e bisedimeve me presidentin ukrainas Volodimir Zelensky.

Kryeministri nuk dha ndonjë sqarim as se përse fillimisht Duçka e më pas Neza, ishin angazhuar për t’i dhënë informacion ish zyrtarit të FBI-së për një çështje lobimi në Shtetet e Bashkuara, në favor të një partie shqiptare, aq më tepër që të paktën në një rast, sipas akt-akuzës, Neza “e kishte marrë informacionin nga zyra e Kryeministrit të Shqipërisë”.

Në dokumentat e akt-akuzës nuk identifikohet lobuesi amerikan dhe as partia shqiptare, por periudha në të cilin kanë ndodhur këto zhvillime përkon me rastin e lobistit Nick Muzin i cili ishte angazhuar muaj më parë për llogari të Partisë Demokratike. I pyetur të martën nga Zëri i Amerikës “nëse e ka njoftuar, kryeministri, zyrtarin e FBI-së, përmes dy personave të tjerë Agron Neza dhe Dorian Duçka, për aktivitetin lobues të Nick Muzin-it në SHBA, në favor të PD-së”, zëdhënësi i qeverisë shqiptare tha se “kjo është një fantazi që nuk figuron as në akt-padinë në fjalë dhe jo më në realitetin e marrëdhënies së kryeministrit me zyrtarin e FBI”.