Zbulohen bisedat e ish-ministrit Sandër Lleshaj për tenderin e uniformave të policisë: Më dërgo një kopje të ekstraktit!

Ish-deputetët Halit Valteri dhe Myslym Murrizi denoncuan në muajin gusht 2020 dosjen e tenderit për uniformat e policisë. Pas 11 muajsh hetimesh, Prokuroria e Posacme Antikorrupsion caktoi masën e sigurisë për 9 zyrtarë të ministrisë së brendshme .

”Vërehen ofertime të çmimit më të lartë kur sasia e prodhimit është më e madhe, gjë që në industrinë e prodhimit për volume më të mëdha ofrohen çmime më të ulëta dhe anasjelltas, duke i bashkëlidhur kësaj shkrese tabelën e çmimeve të ofruara në mënyrë jo korrekte nga Njësia e Prokurimit. Prania e këtyre çmimeve, përveç se është risk për cilësinë e produktit, do të ndikojë edhe në llogaritjen e fondit limit në të ardhmen, kjo sepse përvojat e mëparshme ndikojnë në vlerën e kontratës”– arsyeton në vendimin e saj, trupa gjykuese.

Kontrata e prodhuar nga tenderi për uniformat e policisë së Shtetit që do vishte uniformat blu nga viti 2019 deri në 2023 u gjet abuziv dhe në dëm të buxhetit edhe nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, i cili me anë të një e-mali për Drejtorinë e Blerjeve të Përqendruara paralamëronte për kostot e saj.

“Ekziston një mospërputhje midis logjikës së prodhimit dhe çmimit të ofruar, si në rastin ku një këmishë me mëngë të gjata kushton më pak se ajo me mëngë të shkurtra, këmisha për meshkuj kushton më shumë se ajo për femra, kostumi i motoçiklistit (me 9 pllakëza mbrojtëse) kushton me pak se kostumi i patrrullës, xhupi treçerekësh kushton më pak se xhupi i shkurtër, këpuca gjysmë dimërore,  kushton më shumë se këpuca taktike .”

Edhe Aurora Mullaj, zyrtare në Policinë e Shtetit, i tha Prokurorisë së Posaçme se kishte kundërshtuar pjesë të kontratës që lidhej me uljen e artikujve të porositur.

“Ndryshimi i sasive të artikujve është bërë tek kompjuteri i Drejtoreshës së ABP-së, Edlira Naqellari, në praninë time dhe përgjegjëses së njësisë së prokurimit, Flutura Çekrezi dhe unë kam thënë që të mos prekeshin sasitë, por mendimi im nuk u mor në konsideratë“, ka thënë Mullaj para SPAK, e zbardhur nëpërmjet dosjeve nga Qendra ‘Fol’.

Edhe kryetari i Komisonit të Vlerësimit të Ofertave, Ylli Pjetërnikaj ka konstatuar shkelje në shpalljen e kompanisë fituese për tenderin e blerjes së uniformave të policisë së shtetit. ”Unë si anëtar i komisionit kam konstatuar disa mangësi në lidhje me dokumentacionin e paraqitur nga ofruesit për këtë procedurë. Konkretisht, për operatorin Genc TAAHHUT GIYIM TEKSTIL”, nuk ka plotësuar kriterin e përcaktuar në pikën 11 të ofertës teknike, pasi dokumentet e paraqitura për certifikatën EN ISO, për çdo model këpuce, nuk ishin lëshuar nga një organ i vlerësimit të konformitetit, i akredituar nga organizmi kombëtar i akreditimit ose organizma ndërkombëtar akreditues të njohur nga Republika e Shqipërisë. Gjithashtu nuk ka plotësuar kriterin e  përcaktuar në germën “b” të pikës 12 pasi ofertuesi nuk ka paraqitur deklaratë nga prodhuesit e aksesoreve për përbërjen e materialeve të përdorura. Mospërmbushja e këtyre pikave të mësipërme ka qenë kusht për skualifikim”-shprehet Pjetërnikaj.

Nëpërmjet dëshmive të zyrtarëve të tjerë, Spak mori indiciet për ndikime, nga zyrtarët e Agjencisë së Blerjeve të Përqendruara dhe pavarësisht se hetoi edhe në drejtimin e korrupsionit, nuk arriti ta provonte atë.

Në përfundim, gjykata dënoi 10 zyrtarë të nivelit të mesëm të Ministrisë së Brendëshme me akuzën e shkeljes së barazisë në tendera të kryer në bashkëpunim, mes të cilave edhe ish-drejtoreshën e Agjencisë së Blerjeve të Përqendruara, Edlira Naqellari me 1 vit burgim.

Avokati Andi Duraj, i cili mbrojti ish zyrtarin Gentian Nezaj, të akuzuar nga SPAK në dosjen e uniformave të Policisë, është i mendimit se pavarësisht dënimit të zyrtarëve, cështjes nuk  iu dha drejtësi.

“Që në nisje të procesit ka shumë probleme. Për mënyrën si është hetuar çështja, të thuash shkelje e barazisë në tendera, do të thotë që ti ta fokusosh në një aspekt të vecantë të shpërdorimit të detyrës. Që në akuzë nuk qëndron sepse i akuzon për shkelje të barazisë së tendera duke marrë të pandehur dhe komisionin e vlerësimit të ofertave që kanë për detyrë të shqyrtojnë kriteret dhe ata që kanë vendosur kriteret që janë njësia bazë e prokurimit.”.

Sipas Durajt, anëtarët e komisioneve dhe zyrtarët e Agjencisë së Blerjeve të Përqendruara, në të kundërt të asaj që pretendon prokuroria, nuk i kanë vështirësuar punën operatorëve që kanë garuar për të fituar tenderin, por i kanë lehtësuar procedurat.

”Në gjykimin tim nuk duhet të kishte asnjë fajtor, madje ka qënë e kundërta jo vetëm që nuk i kanë mohuar të drejtën pjesmarrësve në tendera por i kanë toleruar duke i shtyrë afatet kohore për shkak të situatës të jashtëzakonshme që ishte krijuar”, shprehet juristi Andi Duraj.

MONITORIMI I QËNDRËS FOL

Në një vëzhgim të ekspertëve të Qëndrës FOL, në harkun kohor të një viti ka rezultuar se Gjykata e Posaçme ka gjetur fajtorë 60 zyrtarë, kryesisht për veprat penale të shkeljes së barazisë në tendera, shpërdorimit të detyrës apo korrupsionit të zyrtarëve të lartë. Numri më i madh i zyrtarëve të dënuar rezulton për veprën penale ”Shkelje e barazisë së pjesmarrësve në tendera apo ankande publike” që në shumicën e rasteve SPAK është mjaftuar vetëm me parregullsitë e procedurave të ndjekura nga kompanitë që janë shpallur fituese. Hetuesit e kanë patur të pamundur të provojnë se personat e përfshirë të kenë ndikuar nëpërmjet korrupsionit apo ndërhyrjes së zyrtarëve të nivelit të lartë. Edhe pse ish-ministri i brendshëm Sandër Lleshaj, ka patur komunikime me ish-drejtoreshën e Blerjeve të Përqëndruara, Edlira Naqellari, për dhënien e tenderit për uniformat e policisë, SPAK nuk e ngriti asnjëherë dyshimin për ish-zyrtarin.

“Gjithashtu, nga ekspertimi teknik – telefonik i telefonit që i është sekuestruar të pandehurës Edlira Naqellari ndër të tjera, kanë rezultuar edhe komunikime me sms në aplikacionin whatsapp mes të pandehurës Edlira Naqellari dhe shtetasit Sandër Lleshaj (Ministër i Brëndshëm i Republikës së Shqipërisë në kohën e zhvillimit të procedurës së prokurimit publik), gjatë kohës së shqyrtimit dhe vlerësimit të ofertave, përpara shpalljes fitues të operatorit ekonomik në lidhje me këtë procedurë tenderimi. Konkretisht me datë 06.04.2020, në orën 18:49:51, që përkon me disa ditë para shpalljes fitues të operatorit ekonomik për këtë procedurë prokurimi, shtetasi Sandër Lleshi i ka dërguar sms të pandehurës Edlira Naqellari.

Sandër Lleshaj “Më dërgo një kopje të ekstraktit !”

E pandehura Edlira Naqellari, po në këtë datë, ora 18:51:58 i kthen përgjigje shtetasit Sandër Lleshaj duke i dërguar në formatin PDF një kopje të ekstraktit të Qëndrës Kombëtare të Biznesit që i përket pikërisht operatorit ekonomik, i cili më pas në dt. 17.06.2020 do të shpallej dhe fitues i tenderit (Subjekti D&E sh.p.k).

Gjithashtu, nga ekspertimi teknik – telefonik i telefonit që i është sekuestruar të pandehurës Edlira Naqellari, evidentohen edhe komunikime të tjera me sms në aplikacionin whatsapp mes shtetasit Sandër Lleshaj dhe të pandehurës Edlira Naqellari ku kjo e fundit i jep informacion në lidhje me procedurat e tenderit. Më konkretisht komunikimet rezultojnë të jenë zhvilluar në datat 11.05.2020 dhe 01.08.2020 dhe kanë këtë përmbajtje.

 Edlira Naqellari–Përshëndetje z.Ministër. Paraprakisht më lejoni tju informoj se vlerat e ofertuara (shumatore e çmimeve për njësi, në lekë pa TVSH) janë : 1. Genç Taahuut Giyim Tekstil – Turke – 133.480 lekë, 2.BOE – «D&E + Sumer Conf. + Lovers + Yakupoglu Tekstil» – Shqiptare + Italiane + Turke – 319.966, 3. BOE – Kap-Ko + Odjeca + Galko + Jelen + Galeb + Opentech Consulting» – Kroate + Shqiptare – 446.667. Shumatorja limit e çmimeve për njësi është 621.011 lekë pa TVSH”.

 Sandër Lleshaj  “A e mbyllët me PSH?”

Edlira Naqellari – Më datë 27 u nënshkrua marrëveshja, më datë 29 mori policia njoftimin dhe gjithë dokumentat që ju duhen për lidhje kontrate. Nga komunikimi sot me z. Gravani ata kanë filluar me draftimin dhe deri të hënën thotë që do të ketë një draft të parë për ta dërguar. Bashkë me mua do ta ndjekë edhe një punonjëse e ABP e cila është marrë nga fillimi vitin e kaluar me procesin e prokurimit. Hartimi i kontratës nga grup pune i përbashkët me punonjës nga PSH, ABP dhe MB u kundështua nga një bisedë me z. Veliu. Ai insiston që është ndërhyrje në kompetencat e tij që nënshkrimi dhe zbatimi i kontratës janë përgjegjësi e tij dhe ABP mund të monitorojë zbatimin. Në këtë rast sugjeroj që nëpërmjet koordinimit tuaj, draftimi i kontratës të kryhet nga PSH nën asistencën dhe sugjerimet e ABP-së. Paraprakisht kam komunikuar dhe me z. Gravani në mënyrë që të reflektohen çështjet e diskutuara në drejtim të verifikimit të cilësisë, penalitetet etj. Pas vlerësimit dhe rakordimit të draftit të parë do i jepet operatorit për negocim.”

 Sandër Lleshaj “Ok.” , bisedë e cila është zbardhur në vendimin e gjykatës, e siguruar exclusivisht  nga Qendra FOL.

Tre muskutierët

Niveli më i lartë i zyrtarëve të dënuar nga Gjykata e Posacme  është ish-drejtori i RTSH Thoma Gëllçi, ish-kryebashkiaku i Lushnjës, Fatos Tushe dhe ish-zëvëndësministrja e brendshme Rovena Voda.

Gjykata e Posaçme e gjeti të pafajshëm Fatos Tushen, për shkelje të barazisë së tenderave, edhe pse në pretencën e tij, SPAK pretendoi se Tushe dhe zëvendësi i tij kishin orientuar vartësit e tyre për tenderat. Thoma Gëllçi, një tjetër zyrtar i lartë, u gjet fajtor për “Shpërdorim detyre” në tenderin për televizonin RTSH Agro. SPAK pretendoi se Gëllçi kishte shpërdoruar detyrën me disa lehtësira të përcaktuara në garë për fituesin, por sërish ai nuk u gjet përgjegjës për shkelje të barazisë, kjo pasi, sipas SPAK kanë qenë anëtarët e komisionit të vlerësimit që duhet të përgjigjen para drejtësisë.

Një tjetër zyrtare në rangun e të ashtuquajturve të lartë, Rovena Voda, u kap në një sërë përgjimesh dhe vëzhgimesh ambientale që e implikonin në një aferë të mundshme korruptive për sigurimin e një vendi pune.