Vritet veterani i UÇK/ Nysret Cena u ekzekutua me disa plumba në Kaçanik

Një veteran i UÇK-së u ekzekutua mbrëmë në Kaçanik me disa plumba.

Autorët janë larguar nga vendi i ngjarjes duke djegur më tej edhe mjetin me të cilin udhëtuan për të kryer krimin.

Nysret Cena nuk ishte i panjohur për drejtësinë kosovare.

“Nga hetimet e para, ekzaminimit të vendit të ngjarjes dyshohet se personi/persona të panjohur në Kaçanik të Vjetër nga afërsia kanë shti breshëri plumbash mbi automjetin dhe shoferin e më pas janë larguar nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur. Jo larg vendit të ngjarjes në fshatin Soponicë të Kaçanikut është gjetur edhe një automjet tjetër i udhëtarëve i përfshirë nga flaka , ku ekziston dyshimi se personat e dyshuar pasi e kanë kryer vrasjen në Kaçanik të Vjetër i kanë vënë flakën automjetit dhe janë larguar.”, ka bërë të ditur Policia.

Me vendim të prokurorit kujdestar nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për ekspertizë mjeko-ligjore.

Ekipe të Policisë Rajonale të Ferizajt, nga sektorë të ndryshëm, sipas komunikatës, po punojnë vazhdimisht në grumbullimin e informacioneve në terren për të zbardhur sa më shpejtë rastin.