VOA/ Shqipëri, arrestohen të tjerë bashkëpunëtorë për atentatin ndaj prokurorit Ndoja

Në Shqipëri policia arrestoi pesë persona dhe ka shpallur në kërkim katër të tjerë nën akuzat se kanë kryer atentat me armë zjarri tre vjet më parë ndaj prokurorit Arian Ndoja dhe dy personave të tjerë në afërsi të mbikalimit të Shkozetit, teksa udhëtonin në autostradën Tiranë – Durrës.

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vendosi të arrestuarit nën akuzat evrasjes së funksionarëve publikë në tentativë, grup i strukturuar kriminal, mbajtje armësh dhe municioni pa leje si dhe vjedhje të përsëritura.

Tre nga të arrestuarit janë banorë të Durrësit dhe dy të tjerë janë banues në Tiranë.

Ata dhe katër të tjerët e shpallur në kërkim, kanë bashkëpunuar në sulmin me armë zjarri që u krye në nëntor të vitit 2019 ndaj automjetit me të cilin po udhëtonin nga Durrësi në Tiranë prokurori Arian Ndoja, Aleksandër Laho dhe Andi Maloku. Ky i fundit ndërroi jetë në spital, ndërsa dy të tjerët u mjekuan nga armët e zjarrit.

Forcat e rendit kontrolluan gjatë operacionit “Komploti” nën koordinimin e SPAK-ut 11 banesa në Tiranë, Durrës dhe Fushë Krujë, ku kapën armë, jelek antiplumb, dylbi, monedha, telefonë dhe dokumente pronash.

SPAK (Struktura e Posaçme kundër Krimit dhe Korruësionit) njoftoi se pas atij atentati ishin identifikuar fillimisht të pandehurit Redjan Rraja dhe Ariol Halilaj, për të cilët po vijon gjykimi pranë Gjykatës së Posaçme.

Ndërsa për identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë që kanë marrë pjesë në këto ngjarje ishin veçuar aktet ligjore dhe vazhduan hetimet, deri sot kur ata një pjesë u arrestuan dhe pjesa tjetër u shpallën në kërkim.

Organet e rendit po bashkëpunojnë me autoritetet e huaja për kapjen dhe ekstradimin e tyre.

Hetimi u përmbyll nga bashkëpunimi i ngushtë mes policisë Byrosë Kombëtare të Hetimit, si dhe agjencive të huaja të zbatimit të ligjit, bëri të ditur SPAK.

Prokurori i Durrësit Arian Ndoja u sulmua me breshëri automatiku dhe mbeti i plagosur gjatë ecjes në autostradë në një automjet me Aleksandër Laho, ndërsa shoferi Andi Maloku humbi jetën.

Prokurori Ndoja kishte urdhëruar atë kohë arrestimin e Drejtorit të Hipotekës së Durrësit, Liridon Pula. Para se të emërohej prokuror, Ndoja kishte punuar si avokat.

Laho, personi që udhëtonte me të në makinë, është i dyshuar për përfshirje ne aktivitete kriminale, që ka ndryshuar disa herë identitetin./VOA