VOA/ Gërdeci, ish ministrit të Mbrojtjes Mediu, i komunikohen akuzat

Në Shqipëri, pas rihapjes së çështjes së shpërthimit në Gërdec në vitin 2008, Prokuroria e posaçme i komunikoi sot akuzat ish ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu. Akuzat ndaj tij, siç e pohoi edhe ai vetë më pas në dalje nga Prokuroria e Posaçme, janë po ato të ngritura që në vitin 2009 nga Prokuroria e Përgjithshme, “Shpërdorim i detyrës” kryer në bashkëpunim, dhe “Shpërdorim i detyrës” në bashkëpunim me subjekt ushtarak-kuadër komandues.

Zoti Mediu nuk u gjykua në procesin e hapur në atë kohë, duke qenë se ai rifitoi mandatin e deputetit pas zgjedhjeve të atij viti, dhe prokuroria e cila duhej të kërkonte sërish autorizimin e parlamentit, nuk bëri më një kërkesë të tillë.

Në maj të vitit 2021, Prokuroria e Posaçme kërkoi rihapjen e procesit gjyqësor ndaj zotit Mediu, lidhur me shpërthimin në depon ushtarake, në Gërdec, ku humbën jetën 26 persona, mes të cilëve dhe fëmijë, ndërsa mbi 250 të tjerë u plagosën. Prokuroria u vu në lëvizje, pas kërkesës së prindërve të 7 vjeçarit Erison Durdaj, një prej viktimave të shpërthimit. Kërkesa e prokurorisë kaloi më pas nëpër të gjitha hallkat e gjyqësorit, duke u konsideruar e vlefshme.

Avokati i tij Ardian Visha, tha sot se bëhet fjalë për një qëndrim absurd dhe se është një fabul që nuk qëndron nga pikëpamja ligjore. Nga ana e tij ish ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu u shpreh se i hidhte poshtë akuzat dhe se nuk i është ofruar mundësia për një proces të drejtë ligjor.

Jo vetëm që nuk e pranoj këtë akuzë. Por si çdo qytetar kam të drejtën për një proces normal. Të pyetem për aktet e mia. Nuk jam pyetur asnjëherë për këto akte. Vetëm një apo dy ditë pas ngjarjes, jam pyetur si person që njeh rrethanat, pa u njohur me dokumentacionin dhe kam dhënë shpjegimet e mia. Kam deklaruar në mbledhjen e Këshillit e Sigurisë kombëtare, që nëse do gjendet një telefonatë që unë të kem qoftë me personin shqiptar apo amerikan që kryente biznesin, unë dhe familja ime, apo dhe stafi im, e marr të gjithë përgjegjësinë në raport me këtë çështje. Është provuar se nuk ka asnjë kontakt, asnjë lloj interesi specifik, përveç asaj të demontimit si çështje e sigurisë kombëtare. Dhe nuk është vetëm çështje e sigurisë kombëtare por dhe aktesh ligjore, por dhe problemesh që kanë ndodhur para dhe pas Gërdecit, me tragjedi dhe humbje jetësh njerëzore“, deklaroi zoti Mediu pas daljes nga Prokuroria e Posaçme./VOA