Vdekja e të arrestuarit në burg/ Familjarët e Enver Sheshit do padisin gjyqtaren që refuzoi lirimin

Injorimi nga Gjykata Speciale e gjendjes shëndetësore të Enver Sheshit solli dhe pasojën fatale ku pasditen e 7 janarit ai ndërroi jetë në QSUT si pasojë e një ataku kardiak pa mundur të marrë ndihmë të specializuar për shkak të masës arrest me burg në të cilën ndodhej.

Sheshi i kishte parashtruar shkaqet shëndetësore në GJKKO së Apeli, por ishte refuzuar nga gjyqtarja Iliriana Olldashi më 29 dhjetor.

Familjarët e tij kanë paralajmëruar se të kallëzojnë gjyqtaren e GJKKO, Ilirjana Olldashin për veprime të padrejta ndaj Sheshit si dhe prokurorët që po merren me dosjen e inceneratorëve.

Top Channel është interesuar për rastin edhe pranë Avokatit të Popullit ku mësoi se nuk është çelur asnjë hetim mekanizmi kombëtar kundër torturës thotë se nuk është marre me këtë çështje  ndërsa Seksioni i çështjeve të veçanta nuk ka nisur hetim sepse ndaj viktimës po kryheshin hetime dhe gjykata kishte marrë një vendim mbi të cilin nuk mund të mbivendosej Avokati i Popullit.

Megjithëse vepra penale për të cilën sheshi akuzohej nuk është e rëndë dhe lehtësimi i masës kundër tij nuk mund të tjetërsonte provat kjo nuk i mjaftoi gjykatës për ti dhënë mundësi 59 vjeçarit të kurohej. Për më tepër Enver Sheshi ishte dënuar njëherë për evazion me incenetatorët, por u ri-arrestua për të njëjtën çështje.

Ai nuk është i vetmi, në dosjen e inceneratorëve në burg janë edhe persona të cilët kanë qenë formalisht pjese e komisioneve të ngritura për inceneratorët mbahen në burgje prej një kohe të gjatë. Ndërkohë urdhëruesit, personat me poste politike që drejtuan gjithë procesin e abuzimit me inceneratorët janë ende të paprekshëm.