U kapën me mbi 100 kg kokainë dhe marijuanë/ Shpërbëhet banda e trafikantëve në Itali, 18 të arrestuar, mes tyre shqiptarë

Tre nga të dyshuarit akuzohen edhe për tentativë vrasjeje dhe armëmbajtje pa leje, në lidhje me një ngjarje të ndodhur në Ibiza të Spanjës në qershor 2021, ku u plagos rëndë një kuzhinier me origjinë nga Napoli. Ndaj të njëjtëve subjekte dhe të bashkëdyshuarve të tjerë janë kryer edhe 24 kontrolle në shtëpi, në të njëjtat provinca dhe në ato të Torinos, Veronës dhe Breshias.
Mes personave të arrestuar, veç shtetasve italianë dhe rumunë, janë edhe 3 shqiptarë, një 38-vjeçar me banim në Rubano, i cili është lënë në burg, një shqiptar 49-vjeçar me banim në Milano i cili u la në detyrim paraqitje, si dhe një shqiptar 38-vjeçar me banim në Selvazzano Dentro gjithashtu në detyrim paraqitje.
Shqiptari i cili është lënë në burg është përgjuar në bashkëbisedim me një italian lidhur me blerjen e 100 kg kokainë në Amerikën Qendrore duke shkuar vetë aty, të cilën më pas do e sillnin në vitin 2021 në portin e Antwerp në Belgjikë e më pas në Itali.