Tirana City Talks/ Veliaj: Rritja e ekonomisë së Shqipërisë ecën paralelisht me trendin e ndërtimit në Tiranë

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ishte sot pjesë e tryezës “Tirana City Talks”, me urbanistë e arkitektë, të cilët diskutuan për ndërtimet dhe hapësirat publike, se si ato ndikojnë në përmirësimin e jetës së qytetarëve.

Në fjalën e tij, Veliaj preku çështjen e ndërtimeve në Tiranë dhe nevojën që ka qyteti për t’u zhvilluar, pikërisht sepse është kthyer në një Kryeqytet me mbi një million banorë.

“Lista e zgjedhësve në Bashkinë e Tiranës, që sapo u publikua, përbëhet nga 702 mijë vetë. Janë banorë mbi 18-vjeç me të drejtë vote. Ndërkohë, në 2021 kjo listë ishte 680 mijë. Pra, popullsia mbi 18 vjeç është rritur me mbi 20 mijë vetë brenda dy vitesh. Shumica prej tyre janë familjarë, kanë edhe fëmijë nën moshën 18 vjeç. Në qytet mund të negociohet për shumë gjera, por jo për gjithçka. Numri i njerëzve që jetojnë në Tiranë është diçka e panegociueshme. Pyetja është: e mbyll derën e shtëpisë apo do të përshtatesh? Ne duhet të përshtatemi. Këtu nuk duhet të diskutohet më a do ndërtojmë pallate të reja, siç thonë gjithologët e famshëm. Po për sa kohë një gjitholog nuk ka ikur nga kulla e tij, nga vila e tij, nga shtëpia e tij, për të jetuar në një shtëpi qerpiçi, poshtë një ure, apo në një ndërtim pa leje, pse duhet ta bëjnë të tjerët? Ne kemi një disonancë shumë të madhe të asaj që predikohet nga opinionbërja dhe të asaj që është fakt i panegociueshëm. Këta 702 mijë veta janë këtu për të qëndruar gjithmonë. Dhe po ju them, nëse vazhdojnë me këtë ritëm, ne do të jemi në vitin 2025 me 720 mijë votues. Tirana do të jetë një vend që prodhon 40 deputetë”, u shpreh Veliaj.

Kryebashkiaku tha se trendi i rritjes së ekonomisë së Shqipërisë ecën në paralele me trendin e ndërtimit në Tiranë. Ai nënvizoi se punuar për ekonominë e vendit dhe historinë e suksesit të Tiranës, e cila sot mund të marrë edhe titujt e Kryeqytetit Europian të Rinisë apo Qytetit Europian të Sportit sepse ka sheshin “Skënderbej”, Pazarin e Ri, pork a edhe palestra dhe terrene sportive për fëmijët.

Veliaj risolli në vëmendje edhe pallatin e shembur në rr. Myslym Keta, i cili ishte shpallur i pabanueshëm pas tërmetit të 26 Nëntorit.

Para 4-5 ditësh ra tërmet në Tiranë, kurse para katër javësh prishëm pallatin e fundit, të dëmtuar nga tërmeti i kaluar, i cili u bë e pikë e madhe diskutimi. E kam fjalën për Pallatin nr. 4, në rr. Myslym Keta, i cili siç e patë, me një të prekur të ekskavatorit, u shkërmoq i tëri. Po të kishim dëgjuar gjithologët, ata që nuk janë ekspertë, urbanistë apo arkitektë, ose po të kisha dëgjuar analistët, që thonë: ‘Kryetar, ty të duhen vota, pse e prish tani këtë pallatin? Bëje pas Vitit të Ri, merri ato vota dhe bëje pas zgjedhjeve të majit’, çfarë mendoni se do të kishte ndodhur pas tërmetit që ra javën e kaluar? Kush do ta kishte fajin, nëse njerëzit do të ishin ende aty? Kush do linçohej publikisht, si vrasësi i atyre njerëzve? Gjithologët? Po kush i merr vendimet? Dikush që klikohet apo dikush që votohet? Ku është roli i arkitektit, i specialistit dhe i inxhinierit? Debati i sotëm vjen në momentin më të mirë, ndaj do të doja të bëja një ftesë për të qenë më vokalë, për të mbështetur atë që thotë shkenca dhe dija. Ne kujtohemi për Luljeta Bozon vetëm kur bie tërmeti dhe pastaj kthehemi prapë te tallavaja e atyre që nuk janë të fushës, të cilët nuk mund të japin mend dhe as të marrin vendime. Nuk janë as të votuar dhe as profesionistë të certifikuar, për të thënë se kur duhet të prishet një pallat, cili pallat mund të riparohet apo ku ka një hapësirë ku ne mund të ndërtojmë një habitat të ri. Pra, kjo mbyllet vetëm këtu, në këtë tryezë, apo secili prej nesh duhet të kthehet në një megafon të shkencës dhe dijes edhe përtej kësaj tryeze, si një antidot? Si një vaksinë ndaj injorancës dhe gjithollogjisë?”, tha Veliaj.

Tirana City Talks, një cikël debatesh publike, ka si qëllim kryesor krijimin e një forumi që mirëpret diskutimin e temave qendrore të urbanizimit dhe ndërmjetëson shkëmbimin e ideve mes qytetarëve të Tiranës, grupeve të interesi dhe Bashkisë së Tiranës.