Të veshur me të zeza dhe me lule në duar/ Homazhet për “21 Janarin”, Rama në krah të familjarëve të viktimave

Kryeministri Edi Rama bëri homazhet në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në kujtim të katër viktimave të tragjedisë së “21 Janarit” së bashku me familjarët e të ndjerëve.

Rama dhe familjarët nderuan kujtimin e tyre duke lënë lule, në vendin ku katër viktimat ndërruan jetë.Të veshur me të zeza dhe me lule në duar, ata kanë lënë karafilat në vendet ku u vranë viktimat.

Sot bëhen 12 vite nga vrasja e katër protestuesve të cilët atë kohë protestonin para Kryeministrisë, më 21 Janar të 2011-ës kur Partia Socialiste ishte në opozitë ndërsa PD-ja dhe LSI-ja qeverisnin së bashku dhe kryeministër atëherë ishte Sali Berisha, ndërkohë Lulzim Basha ishte ministër i Brendshëm.

Kujtojmë se në 21 Janar 2011 opozita socialiste kishte thirrur një protestë pas publikimit të një video në emisionin Fiks Fare,  ku Ilir Meta atë kohë zëvendës kryeministër, në qeverinë Berisha shfaqej me një bllok të zi në dorë, duke bërë pazare me ish-ministrin e ndjerë Dritan Prifti. Protestuesit u përballën me plumbat e Gardës së Republikës, ku krahas Aleks Nikës mbetën të vrarë edhe Hekuran Deda, Ziver Veizi dhe Faik Myrtajt.

Të vetmit të dënuar për këtë krim të 12 viteve më parë janë ish-komandanti i Gardës së Republikës Ndrea Prendi me një vit burg dhe gardisti Agim Llupo me tre vite burg. Vrasja e Aleks Nikës, 12 vite më pas vijon të mbetet ende pa autor.