“Shqipëria më e preferuar se Parisi”/ Vendi ynë në listën e udhëtarëve kinezë pas rihapjes së kufinjve

Pas tre vitesh kufinjtë në Kinë u rihapën dhe udhëtarët kanë mundësinë të shkojnë në destinacionet e tyre të preferuara.

Destinacionet më të njohura deri më tani në preferencat e udhëtarëve kinezë janë Singapori, Koreja e Jugut, Hong Kongu, Japonia dhe Tajlanda, bazuar në rezervimet e Grupit Trip.com. Ndërsa për destinacionet me distanca të gjata, SHBA, MB dhe Australia kryesojnë paketën.

CEO i Institutit Kërkimor të Turizmit Jashtë Kinës, Dr. Wolfgang Georg Arlt, tha për CNN se Shqipëria është vend me shumë interes nga kinezët.

“Përpara pandemisë, Shqipëria sapo kishte filluar të shfaqej në radarin e udhëtarëve kinezë. Vendi ka fshatra shekullorë dhe mjedise autentike rurale, të cilat tërheqin udhëtarët me përvojë”, thotë ai.

“Parisi nuk është më mbresëlënës. Nëse u tregoni miqve tuaj se keni qenë në Shqipëri, ata do të mendojnë se jeni shumë i veçantë. Se keni shije dhe një ndjenjë aventure”, shton ai.

Sipas të dhënave të kompanisë, prenotimet e fluturimeve dalëse u rritën me 254% në fund të dhjetorit, një ditë pasi u njoftua se kufizimet e udhëtimit do të lehtësoheshin që nga 8 janari.

Maldive është një destinacion shumë i preferuar për plazh, bashkë me plazhet e Vietnamit, Tajlandës apo Kamboxhias.

Por tremujori i parë i vitit 2023 do të jetë pothuajse ekskluzivisht për udhëtime urgjente jo të kohës së lirë, të tilla si udhëtime pune, bashkime familjare, udhëtime studentore ose nevoja për kujdesin shëndetësor.