Shkolla ‘Gjon Gjonaj’ në Laç hap dyert për nxënësit, Rama: Transformim rrënjësor në zonën më të prekur nga tërmeti

Një tjetër shkollë e re ka hapur dyert, kësaj radhe në Laç. Shkolla 9-vjeçare “Gjon Gjonaj” në Laç është gati për të pritur nxënësit e zonës, pasi i është nënshtruar një rikonstruksioni total.

Kjo shkollë e re e ndërtuar me kushtet më moderne, ka gjithsej 207 nxënës dhe përbëhet nga 4 kabinete, 12 klasa, salla për mësuesit, kënde për psikologun dhe infermierin, palestër dhe bibliotekë.

Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Arsimit, Evis Kushi kanë darë foto nga shkolla e re, ndërsa shkruajnë se kjo shkollë vjen në vazhdën e rindërtimit që po bëhet në një nga zonat më të prekura nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit.

“Dhe me një tjetër shkollë të re për fëmijët e Laçit, e cila sapo ka hapur dyert në vazhdën e një transformimi rrënjësor të një prej zonave më të goditura nga tërmeti, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama.

“Një tjetër shkollë e re sapo ka hapur dyert për fëmijët e Laçit, në vazhdën e një transformimi rrënjësor të një prej zonave më të goditura nga tërmeti. Ta gëzojnë dhe sa më shumë suksese për nxënësit, mësuesit dhe të gjithë komunitetin e zonës”, shkruan Kushi.