Serbët në Mitrovicë, protestë kundër Vuçiçit: Nuk duam as policët e Kosovës!

Serbët në veri të Kosovës paralajmërojnë për ditën e nesërme një protestë kundër presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç, dhe Iniciativa Qytetare “Mbijetesa serbe” apeloi për një pjesëmarrje sa më të madhe në këtë tubim.

Sipas organizatorëve, protesta do të mbahet kundër politikës  së Vuçiçit në bisedime dhe pranimit pa kushte të marrëveshjes së re. Por  “Mbijetesa serbe” , pretendon në të njëjtën kohë se të mërkurën në rrugët e Mitrovicës, protestuesit do të dalin edhe për të shprehur kundërshtinë e tyre ndaj pranisë së pjesëtarëve të Policisë së Kosovës në veri të vendit.

Qetësia e brishtë e këtyre ditëve të fundit në zonë u trondit sërish dje, pas njoftimit se një makinë që kishte tentuar të shmangte kontrollet policore, kishte shtënë mbi automjetin e forcave të rendit, të cilat i janë përgjigjur zjarrit. Zyrtarë serbe thanë se nga shtënat e policisë, mbeti i plagosur një person. Të dyshuarit arritën të largoheshin nga vendngjarja.

Zyra për Kosovën në qeverinë e Serbisë doli shume shpejt pas kësaj me njoftimin se i plagosuri është pjesëtar i komunitetit serb. Shefi i kësaj zyre, Petar Petkoviç pohoi se i lënduari M.D. është transportuar me urgjencë në spitalin e Kralevës, në jug të Serbisë.

Ai tha se njësitë policore kanë qëlluar mbi makinë me të cilën po udhëtonin dy qytetarë serbë “vetëm sepse ata nuk kanë dashur të lejojnë që policia t’i keqtrajtojë pa asnjë arsye”.