Santos sfidon Shqipërinë dhe kundërshtarët e grupit: Kualifikohemi në Europian, nuk e njoh humbjen

Pasi mbylli aventurën me Portugalinë, tashmë trajneri Fernando Santos është prezantuar te Polonia.

Tekniku portugez do ë provojë të polakët në Europianin e vitit 2024 që zhvillohet në Gjermani. Fushata eliminatore është “pas dere” teksa në muajin mars, Polonia do të nisë rrugëtimin e saj teksa është shortuar në Grupin E së bashku me Republikën Çeke, Shqipërinë, Moldavinë dhe Islandën.

Në konferencën e prezantimit, trajneri Santos iu dërgoi një mesazh të pastër kundërshtarëve të grupit duke theksuar se qëllimi i tij i vetëm është kualifikimi për në Europian ndërsa shtoi se nuk e njeh humbjen.

“Objektivi është të kualifikohemi për në Europian, por është e rëndësishme edhe të ecim para me projektin e të marrim fitore. Unë dua të fitoj gjithçka, kjo është ambicia ime. Nuk kam ardhur për të humbur te Polonia, unë nuk e njoh humbjen. E rëndësishme është që para fushatës eliminatore t’i njohim mirë kundërshtarët, Federata më ka prezantuar një projekt dhe për mua është e rëndësishme që edhe te Polonia të bëj atë çfarë kam bërë në detyrat e mëparshme.

Dua të lë gjurmë dhe të ndihmoj në ndërtimin e së ardhmes”, u shpreh Santos që ndeshjen e parë zyrtare në krye të Polonisë do ta luaj më datë 24 mars ndaj Republikës së Çekisë dhe vetëm tre ditë më pas do të presë në shtëpi Shqipërinë.