Rama nuk ndërron kostum, rikandidon 75 % të kryebashkiakëve, vetëm 25 % e bashkive me kandidatë të rinj për 14 Majin

Partia Socialiste po shkon drejt 14 Majit duke ndryshuar vetëm çerekun e skuadrës së saj. 75 % e kryebashkiakëve aktualë, pritet të rikandidohen. Sondazhet e brendshme që po analizohen në mbledhje të vazhdueshme të ekipit të Edi Ramës, kanë konsoliduar deri tani një panoramë të kandidatëve potencialë.

Në Tiranë, veç Erjon Veliajt, i konfirmuar është edhe Rakip Suli në Kamzë, dhe Blerim Shera në Vorë që e ka të freskët fitoren e 6 Marsit. Në Elbasan, Damian Gjiknuri do t’i qëndrojë zgjedhjes së tij, për të rikandiduar me Glendjan Llaten, ndërsa sërish në fushë do të jenë Arif Tafani në Belsh, Andi Sala në Cërrik e Nuri Belba në Prrenjas.

Risi në këtë qark, është deputeti Besjan Ajazi, i cili pritet të lërë parlamentin për të kandiduar për Gramshin. Në Librazhd, i besuari i Taulant Ballës, Kastriot Gurra, është vënë në pikëpyetje. PS është duke kërkuar edhe kandidatë të tjerë, si Mariglen Disha apo Ermal Kurti.

Në qarkun Berat, nuk ka surpriza të mëdha. Ervin Demo rikandidon për qytetin e një mbi një dritareve, Adriatik Mema provon të mbajë prapë Skraparin, ndërsa Adriatik Zotkaj nuk tërhiqet nga karrigia e të parit të Poliçanit, që e mban që prej vitit 2004.

Në Fier, pavarësisht aferës së inceneratorëve dhe të akuzuarve për ta, Armando Subashi pritet të kërkojë mandatin e tretë. Zbulimi i ri i PS-së Eriselda Sefa do të kërkojë një mandat të plotë në Lushnjë. Bashkëpunëtori i ngushtë i Erjon Braces në Divjakë, Fredi Kokoneshi, është vënë në pikërpyetje dhe PS aty mund të sjellë edhe kandidat të ri.

Gjirokastra është një qark që nuk do të rrezikojë me prova të reja. Veç Bashkisë Libohovë ku po kërkohet një emër i ri, të gjithë të tjerët pritet të rikandidohen, nga Flamur Golemi në Gjirokastër, tek Tërmet Peçi në Tepelenë.

Dy të lavdëruarit e Edi Ramës për rindërtimin, Emirjana Sako në Durrës dhe Elton Arbana në Shijak do të rikandidojnë. Kruja ngelet ende e papërcaktuar, kur emri i Artur Bushit nuk është më bindës, ndërsa edhe më pak bindës është emri i Rrahman Rrajës nuk mjaftohet me karrigen e deputetit dhe ka shprehur ambicien për tu bërë kryebashkiak.

Është thuajse e mbyllur që Benet Beci do të jetë kandidati i socialistëve për të thyer kalanë blu të Shkodrës. Rikandidim pritet për të gjithë kryebashkiakët aktualë të tjerë në qark, me përjashtim të Vaut të Dejës, ku Krisjan Shkreli është një prej emrave që mund të rivalizojë Mark Babanin.

Në Kukës, Partia Socialiste po përgatitet të rikandidojë Safet Gjicin si dhe të mbajë drejtimin e Bashkisë Tropojë, përmes kryetarit aktual Rexhë Byberi. Lima Morina është në diskutim për Hasin, ku po studiohen edhe kandidatë të tjerë. Pjerin Ndreu do të udhëheqë garën e Lezhës për një mandat të dytë e po ashtu edhe Majlinda Cara pritet të rikandidojë për Kurbinin. I pasigurt është emri i Ndrec Dedës në Mirditë.

Në qarkun Dibër, të katërt kryetarët aktualë të bashkisë kanë dalë mirë në sondazhe dhe gjasat janë që të rikandidojnë po të njëjtët.
Drejt rikandidimit 100 % të kryebashkiakëve aktualë është edhe qarku i Korcës, duke nisur me Sotiraq Filon për Korcën, deri tek Gëzim Topçiu në Maliq, që pritet të kërkojë mandatin e tij të 7-të.

Në Vlorë, Edi Rama jua mbylli derën të gjithë deputetëve ambiciozë, dhe një nga emrat më të mundshëm për të kandiduar në këtë bastjon të majtë, është Vilma Bello, ish-deputete, aktualisht zëvendëministre e Turizmit.

Mjeku Ardian Gruma është në pikëpyetje në Sarandë, ndërsa Himara ngelet ende një dilemë. Me Jorgo Goron që është aty prej vitit 2011, në një bashki ku interesat ekonomikë dhe influencat e pushteteve janë përplasur fort, duke prodhuar edhe dyshime paligjshmëri e regjistrime hetimesh në prokurori.