“Përdor partneritetin për të goditur opozitën”/ Nesho: Investime ruse në Shqipëri nga kompani guackë!

Zëvendëskryetari i Partisë së Lirisë, Agim Nesho akuzoi qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama se ka furnizuar me informacion ish-zyrtarin e FBI-së, Charles McGonigal i cili u arrestua nga autoritetet amerikane.

Në një deklaratë për mediat nga selia e PL-së, Nesho tha se Rama dhe stafi i tij, janë evidentuar se kanë kryer akte korruptive, duke u bërë pjesë e rëndësishme e dosjes penale që rëndon ndaj McGonigal, dhe veprimtarinë e tij lidhur me Shqipërinë.

Deklarata e plotë e zëvendëskryetarit të Partisë së Lirisë, Agim Nesho

Dje, në të gjitha mediat prestigjioze amerikane dhe të botës, u pasqyrua lajmi për arrestimin e një ish-zyrtari të lartë të FBI, i akuzuar për fshehje informacioni, përfitime parash të padeklaruara, bashkëpunim për interes të oligarkut Rus Deripaska, i cili është nën sanksione nga autoritetet amerikane, si dhe shfrytëzim të pozicionit zyrtar, etj.

Ajo që bie në sy në dosjen e paraqitur nga akuza është emri i kryeministrit Shqiptar Edi Rama dhe disa bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë, si dhe marëdhëniet e bashkëpunimit që kishin krijuar me këtë individ.

Është e pa precedent që një kryeministër i një vendi demokratik dhe anëtar të NATO-s të përmendet nga Prokuroria Amerikane si i përfshirë në akte korrupsioni ndaj zyrtarëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Më konkretisht, Kryeministri Rama dhe stafi i tij, janë evidentuar se kanë kryer akte korruptive, duke u bërë pjesë e rëndësishme e dosjes penale që rëndon ndaj ish funksionarit të lartë të FBI-së, Z. McGonigal, dhe veprimtarine e tij lidhur me Shqipërinë.

Partia e Lirisë e ka deklaruar gjithmonë se marrëdhëniet e zotit Rama me SHBA janë marrëdhënie të bazuara jo në vlera por në afera.

Nëpërmjet klientelizmit të një Yes Man-i, ai ka kërkuar që marrëdhëniet me SHBA të përdoren në funksion të mbajtjes së pushtetit të tij koruptiv, duke përdorur lidhjet me SHBA-në për të goditur opozitën dhe dëmtuar funksionimin e shtetit ligjor në Shqipëri.

Ai ka kohë që përdor këtë model qeverisje ku cështjet i porosit dhe i krijon në SHBA dhe Europë, dhe i kthen në Shqipëri si fakte dhe kërkesa të aleatit tonë strategjik.

Kur në fakt, këto janë vetëm produkte të blerjes së influencës me paratë e korrupsionit dhe të drogës që Z. Rama e kryen duke shfrytëzuar postin e tij qeveritar.

Porositja dhe furnizimi me informacion për McGonigal në ngritjen e një cështje penale për një shtetas amerikan, i cili lobonte për një parti opozitare Shqiptare, është akt i pastër korrupsioni dhe përdorimi të një zyrtari të një shteti të huaj për interesat e ngushta të mbajtjes së pushtetit të tij autokratik.

Cështjet e trajtuara në dosjen e akuzës për McGonigal tregojnë një sërë problemesh të rëndësishme në funksionimin e Qeverisë Shqiptare, sic janë investimet ruse nëpërmjet kompanive guackë, cështjet e pagesave korruptive dhe pastrimit të parave si dhe përdorimi i pushtetit për të shkatërruar opozitarizmin në vend.

Partia e Lirisë ju bën thirrje organeve të drejtësisë në vend të nisin menjëherë hetimin për këtë skandal ndërkombëtar, për veprimtarinë e Kryeministrit Shqiptar Z. Edi Rama, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e vendit.

Përpjekja për të blerë dhe përdorur një zyrtar të lartë të partnerit tonë strategjik, vazhdimësinë e investimeve pa transparencë dhe me kompani guackë në vendin tonë, duke mundësuar që paratë e pista ruse të futen në ekonominë shqiptare, duhet dënuar me forcë nga i gjithë opinioni dhe mbi të gjitha nga instancat e drejtësisë.