PE jep alarmin: Masa në nivel kombëtar dhe blloku kundër përgjimit!

Komisioni i Parlamentit Europian Pegasus po përgatitet t’i japë dritën jeshile disa rekomandimeve që synojnë menaxhimin e një “papërshtatshmërie të ndjeshme” të BE-së në raport me trajtimin e teknologjisë së mbikëqyrjes.

Drafti i paraqitur komisionit të krijuar në 2022-shin për të hetuar abuzimet me softuerin e përgjimit nga qeveritë e bllokut, vjen në vazhdën e një dokumenti të lëshuar nga eurodeputetja Sophie In ‘t Veld në muajin nëntor, i cili kishte shqyrtuar punën e deriatëhershme të këtij organizmi.

Për shkak të kufizimeve procedurale për gjatësinë, ai u nda në një raport dhe rekomandime, ndërsa disa element të tekstit origjinal, që u desh të hiqeshin fillimisht, do të shtohen tani përmes amendimeve.

Rekomandimet përcaktojnë reagimin ligjvënësve ndaj skandalit si në nivel europian, ashtu edhe në nivel kombëtar të shteteve anëtare, ndërsa më specifike ato janë për Poloninë, Hungarinë, Greqinë, Spanjën dhe Qipron. Si draft rekomandimet ashtu edhe raporti pritet të votohen nga komisioni në fund të prillit.

Në rastin e Greqisë, ku skandali i përgjimeve shkaktoi trazira të mëdha politike, rekomandohet që autoriteteve të lejohen të hetojnë lirisht rastet e supozuara të përgjimit dhe të përmbyset nisma e vitit 2019 që i vendos shërbimet vendase të  inteligjencës, nën kontrollin e drejtpërdrejtë të kryeministrit.

Qipros ndërkohë i kërkohet të vlerësojë të gjitha licencat e eksportit për softueret e përgjimit dhe t`i rrëzojë ato që rezultojnë të cunguara, duke prekur kështu një cështje delikate, së cilës dokumenti i jep peshë të madhe.