Lufta në Ukrainë rriti problemet me urinë/ Sekretarja amerikane e Thesarit viziton Afrikën: Mbështetje për sigurinë ushqimore

Sekretarja amerikane e Thesarit Janet Yellen po viziton Zambian, ndalesa e saj dytë në turneun e saj në tre vende të Afrikës, ku ajo siguroi presidentin e vendit dhe ministrin e Financave se ristrukturimi në kohë i borxhit është një përparësi kryesore e Shteteve të Bashkuara.

Sekretarja Yellen u përqendrua te masat afatgjata për të zbutur kërcënimet ndaj sigurisë ushqimore të shkaktuara nga sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës.

Sekretarja e Departamentit të Thesarit Janet Yellen e kaloi pjesën më të madhe të vizitës së saj në Zambia të martën duke folur për potencialin e investimeve në sektorin e bujqësisë të vendeve afrikane, veçanërisht pasi agresioni rus në Ukrainë ka ndikuar në përkeqësimin e problemit të urisë dhe rritjen e çmimit të ushqimit në mbarë botën.

Në një fshat në Chongwe, një orë larg kryeqytetit, Lusaka, Yellen theksoi nevojën për trajtimin e nevojave akute ushqimore dhe rritjen e investimeve në sistemet e qëndrueshme të prodhimit të ushqimit në planin afatgjatë.

Duke folur me një grup fermerësh kryesisht gra, që po marrin pjesë në programet e financuara nga Fondi i Gjelbër i Klimës, i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, për operacionet bujqësore në shkallë të vogël, Sekretarja e Thesarit shprehu gjithashtu mbështetjen për një përfshirje më të madhe të Afrikës në tregjet globale të plehrave kimike dhe zinxhirët e furnizimit.

Të hënën ajo u takua me presidentin e Zambias dhe ministrin e saj të financave, të cilët i siguroi se ristrukturimi i borxhit të vendit është përparësi e Shteteve të Bashkuara.

Zambia ishte vendi i parë afrikan që nuk arriti të realizonte pagesat për borxhin e saj të jashtëm, i vlerësuar në rreth 17 miliardë dollarë, gjatë pandemisë së koronavirusit.

Vendi ka kërkuar ndihmë përmes të ashtuquajturës Korniza e Përbashkët e G-20-ës, por ndihma ka qenë e ngadalshme. Shtetet e Bashkuara kanë akuzuar Kinën për ngadalësimin e këtij procesi.

Por, Sekretarja Yellen tha se ishte inkurajuar pas takimit javën e kaluar me zëvendëskryeministrin kinez në Zvicër.

“Më lejoni të them se e di që kinezët kanë qenë një pengesë për përfundimin e negociatave. Unë ngrita në mënyrë specifike çështjen e Zambias dhe kërkova bashkëpunimin e tyre në përpjekjen për të arritur një zgjidhje të shpejtë”, tha ajo.

Ministri i Jashtëm i Kinës, i cili kohët e fundit vizitoi pesë vende afrikane, ka hedhur poshtë pretendimet se Kina nuk ka qenë e angazhuar në përpjekjet për të ndihmuar Afrikën të lehtësojë barrën e saj të borxhit, duke këmbëngulur se vendi i tij është një pjesëmarrës aktiv në Iniciativën e Pezullimit të Shërbimit të Borxhit të drejtuar nga G-20-ta.

Para Zambias, Sekretarja Yellen vizitoi Senegalin, ku u takua me presidentin Macky Sall, ministrin e tij të financave dhe zyrtarë të tjerë.

Ajo gjithashtu u takua me një grup të sipërmarrëseve të vendit.

Sekretarja Yellen do ta mbyllë turneun e saj me një vizitë sot në Afrikën e Jugut, ku ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov zhvilloi bisedime me homologun e tij afrikano-jugor, Naledi Pandor të hënën.

Rusia po shton përpjekjet për të forcuar lidhjet me aleatin e saj historik mes luftës në Ukrainë.

Afrika e Jugut ishte në mesin e disa vendeve afrikane në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së që abstenuan në një votim që kërkonte që Rusia të pezullohej nga Këshilli i të Drejtave të Njeriut.

“Dështimi, veçanërisht në kontinentin afrikan, gjatë përpjekjeve të Shteteve të Bashkuara për të udhëhequr botën në dënimin e sulmit rus në Ukrainë ishte një paralajmërim për Uashingtonin. Kjo ishte një kujtesë se nëse doni të jeni udhëheqës i botës së lirë, ju duhet të angazhoheni në këtë drejtim. Dhe nëse njerëzit nuk janë të gatshëm të respektojnë thirrjen tuaj për demokraci dhe liri, atëherë ju keni një problem të vërtetë”, thotë analisti Cameron Hudson nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.

Në listën e zyrtarëve të tjerë të lartë të Shteteve të Bashkuara që do të vizitojnë Afrikën është edhe ambasadorja amerikane në OKB, Linda Thomas-Greenfield, e cila sot fillon një turne që përfshinë vizita në Ganë, Mozambik dhe Kenia.