Llakatundi i braktisur/ Tokat pjellore kultivohen gjithnjë e më pak

Në fshatin Llakatund të Vlorës kanë mbetur vetëm të moshuar, që punojnë në bujqësi.

Ata ankohen për vështirësitë e shumta që ndeshin çdo ditë, nuk ka të rinj që të punojnë tokën, mungon tregu, ndërsa dora e shtetit nuk shihet askund.

Për këto probleme foli Hasan Sulejmanin, i cili punon prej vitesh në serrën e tij.

“Po të isha më i ri do ikja jashtë shtetit, sepse këtu nuk ja vlen të punosh pasi shteti nuk të jep asnjë ndihmë”, tha Hasani.

Hasani në serrën e tij mbjell kryesisht perime, ai tregon se përse nuk ka marrë asnjë ndihmë.

“Për të marrë subvencione nga shteti duhet të kesh një serrë të lartë tre metra dhe të jetë të paktën 3 dynym”, tregon ai.

Nasho Tereziu një tjetër i moshuar krasit vreshtat dhe tregon me keqardhje se ky zanat nuk do të ketë të ardhme në këtë fshat.

Ndërsa Qazim Muhameti prodhon kivi, ai tha se këtë vit rreth 200 kunjtalë kivi kanë mbetur pa shitur.

Llakatundi është një nga zonat më pjellore të vendit dhe dikur kjo fermë furnizonte me fruta perime Vlorën dhe disa zona të tjerë të vendit. Brenda pak vitesh kjo zonë rrezikon të mbetet djerrë dhe të mos prodhojë më asgjë, pasi nuk do ketë më kush ta punojë tokën.