Lideri opozitar grek paraqet mocion mosbesimi ndaj qeverisë: Mitsotakis okestroi përgjimet masive ndaj zyrtarëve

Lideri i partisë më të madhe opozitare greke Alexis Tsipras, ka paraqitur mocion mosbesimi ndaj qeverisë konservatore duke akuzuar kryeministrin Kyriakos Mitsotakis për orkestrimin e përgjimeve masive ndaj zyrtarëve qeveritarë apo edhe kundërshtarëve të qeverisë.

Nën hijen e skandalit të përgjimeve që ka tronditur qeverinë prej verës së kaluar, Tsipras i kishte kërkuar disa ditë më parë Autoritetit për Sigurimin e Privatësisë së Komunikimeve fakte e të dhëna në se janë përgjuar nga Shërbimi Informativ i Greqisë disa qeveritarë apo zyrtarë, pas publikimeve të ndryshme në disa media të vendit.

Pasi ai ka marrë konkluzionet e një hetimi të veçantë të kryer nga ky autoritet ,në bazë të
arkivave të kompanive telefonike, ka lexuar emrat e të përgjuarve në parlament duke theksuar se qeveria dhe kryeministri, të cilët kanë mohuar skandalin e përgjimeve, jo vetëm kanë gënjyer , por përbëjnë një rrezik për demokracinë me këtë shkelje të kushtetutës.

«Kur cënimi i të drejtave civile shoqëron varfërinë dhe sigurinë e shumicës sociale, kur demokracia shkelet me këmbë pasi edhe forcat e armatosura të vendit përfshihen në lojërat të pista të përgjimeve të stilit mafioz, atëherë nuk mjafton thjesht të thuhet se demokracia, stabiliteti, kohezioni social, pozicioni i vendit në skenën ndërkombëtare, madje edhe siguria jonë është kthyer në lojë në duart e një qeverie dhe kryeministrit të pamëshirshëm. Atëherë ne duhet dhe kemi një detyrim historik për të vepruar dhe për sa na përket neve, nuk kemi çfarë të bëjmë tjetër. Ne kemi vetëm Kushtetutën dhe mjetet që ajo na jep»- ka thënë Tsipras.

Sipas liderit të partisë Syriza , 6 të përgjuarit për të cilët ka paraqitur dokumentat përkatëse janë ish ministri i Energjisë para dy vitesh dhe tashmë Ministër i Punës Kostis Hatzidakis, kreu i Shtabit të Përgjithshëm të Mbrojtjes Konstantinos Floros, kreu i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Haralambos Lalousis, ish-këshilltari i Sigurisë Kombëtare Aleksandros Dhiakopoulos , ish drejtori dhe drejtori i Departamentit të Pajisjeve të Mbrojtjes Theodhoros Lagios dhe nën/admirali Aristidis Aleksopoulos.

«Kryeministri është fajtor i parevokueshëm dhe qëndrimi i tij në qeverisjen e vendit pasi e kanë bërë edhe sigurinë tonë kombëtare fushë përgjimi, është i rrezikshëm për Republikën për sigurinë e vendit, për të drejtat» -ka theksuar ai duke paraqitur mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë.

Pas kësaj Ministri i Shtetit, në emër të kryeministrit që nuk ndodhej në parlament, e ka pranuar atë duke sqaruar se debati tre ditor sipas kushtetutës , fillon menjëherë dhe përfundon deri të premten.

Skandali i përgjimeve ende në hetim nga prokuroria , doli në dritë në gusht kur Nikos Androulakis, kreu i partisë socialiste PASOK, partia e tretë më e madhe e Greqisë, deklaroi se shërbimi i inteligjencës së vendit përgjonte bisedat e tij në vitin 2021.Pasuan akuzat e dy gazetarëve që përgjoheshin , ndërsa në fund të vitit gazeta opozitare Documento raportoi se më shumë se 30 njerëz, përfshirë ministra e zyrtarë të lartë, ishin përgjuar ose nga Shërbimi Inteligjen ose nga një software i paligjshëm.

Qeveria konservatore që ka 156 deputetë në parlamentin prej 300 vendesh, vazhdon ende të akuzojë opozitën e majtë për shpifje.

Edhe nëse ajo i mbijeton mocionit të mosbesimit , zgjedhjet parlamentare do të mbahen në Greqi në pranverë, ka deklaruar kryeministri Mitsotakis , partia e të cilit kryeson vazhdimisht në sondazhet e fundit nga 6- 8,3%.