Kosovë/ Vërshimet në Skenderaj, shpallet gjendje e jashtëzakonshme

Kryetari i Skenderajt, Fadil Nura, sot ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme, pas reshjeve të dendura të shiut.

Ai ka bërë të ditur se është formuar Shtabi Emergjent, i cili ndodhet në terren.

Nura ka theksuar se në disa fshatra gjendja nuk është e mirë, ndërkohë që ekipet dhe shërbimet komunale me makinerinë e punës ndodhen atje.

“Si rrjedhojë e reshjeve të pandërprera, nga e cila gjendje është rënduar situata në përgjithësi, si dhe në bazë të kompetencave dhe autorizimeve, kam marrë vendim që të shpallim gjendje të jashtëzakonshme në gjithë territorin e komunës sonë. Kam formuar gjithashtu Shtabin Emergjent, i cili tashmë ndodhet në teren dhe po e bën punën e vet. Që nga orët e mengjesit, secila drejtori me njësitë dhe shërbimet vartëse, ndërkohë që edhe me mbështetje të Shërbimit të Zjarrfikësve, është angazhuar të bëjë maksimumin e punës që situata të jetë nën kontrollë, me gjithë vështirësitë dhe kapacitetet ekzistuese karshi sasisë së madhe të ujit nga reshjet e shiut”, ka shkruar Nura në Facebook.

Si pasojë e reshjeve të dendura të shiut, sot disa qytete të Kosovës janë përfshirë nga vërshimet. Vërshime janë shkaktuar në komunën e Pejës, atë Gjakovës, Skënderajt, Istogut, Mitrovicës, Podujevës.

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës sot ka bërë të ditur se si pasojë e reshjeve të ditëve të fundit, sidomos në pjesën perëndimore, veriperëndimore dhe veriore të Kosovës, disa lumenj janë përfshirë nga vërshime.

IHMK ka theksuar se situata e vështirësuar hidrometeorologjike pritet që të vazhdojë dhe gjatë ditëve në vijim.