“Këtu kam lënë një copëz të zemrës time”, Reja: Lojtari i preferuar? Vetëm njëri më ngjason me veten kur isha i ri

Një vizitë për herë të fundit në muzeun e Kombëtares, për të parë historinë “kuqezi”, ku një pjesë, tashmë e ka shkruar edhe ai.

Edy Reja mbylli zyrtarisht aventurën e tij “kuqezi”, në ditën e prezantimit të trajnerit të ri, Sylvinho.

Në një intervistë ekskluzive për “SuperSport” me gazetarin Sokol Xhihani, Reja ka treguar gjithçka, nga emocionet e fundit të ciklit te pengu më i madh e deri te lojtari qe ai kishte me tepër për zemër gjatë kohës së drejtimit të kuqezinjve.

Trajneri 77-vjeçar ishte i emocionuar në fjalët e fundit, teksa tregoi besim të madh te pasuesi i tij.

“Jam i emocionuar për faktin se përfundoi një cikël. Më duhet të falenderoj të gjithë bashkëpunëtorët e mi, federatën për ndihmën që më ka dhënë dhe që më ka qëndruar afër. Pata fatin të njoh gjithashtu edhe një komb që më ka dashur shumë dhe shpresoj që të kem lënë një kujtim të mirë. Unë do të jem gjithmonë i lidhur me këtë vend. Sylvinho do të vazhdojë punën time dhe besoj se kam bërë një punë të mirë, pasi kur erdha këtu, Kombëtarja nuk kishte as fillim e as fund. Kam bërë të debutojnë më shumë se 40 lojtarë, por ka ende shumë për të bërë. Largohem i qetë për punën që kam bërë. Ishte një eksperiencë shumë e bukur”

Goli i pësuar në minutën e 97-të ndaj Islandës, për trajnerin ishte dhe fundi i aventurës me Shqipërinë.

“Kur pësuam atë gol në minutën e 97-të me Islandën mund të them që humba edhe stimulin. U ulëm me Presidentin dhe folëm për të mbyllur gjithçka. Si në çdo eksperiencë vjen dhe fundi dhe për më tepër unë jam pak përpara edhe me moshën. Sylvinho është i ri dhe është shumë entuziast. Kam folur me të dhe do të flas sërish për t’i treguar disa gjëra rreth Kombëtares, për vlerën e lojtarëve që janë këtu, në mënyrë që ai të ketë mundësi të vazhdojë punën. Unë mund të them që ai e gjen tavolinën plotë. Ndoshta mund të ketë një filozofi tjetër nga unë, por ajo që ka rëndësi është të bëjë mirë për futbollin shqiptar.”

Ndërkohë trajneri italian ka treguar edhe se çfarë do të bënte ndryshe nëse do të kthehej dhe njëherë në stolin e Shqipërisë.

“Në dy ndeshjet miqësore me Katarin dhe Arabinë Saudite, unë aktivizova shumë lojtarë të kampionatit shqiptar dhe nëse do të kthehesha prapa në kohë mendoj se duhet t’i kisha besuar më tepër lojtarëve të kampionatit vendas sepse më dhanë përgjigje shumë pozitive. Personalisht mendoj se ndonjë lojtar mund të jetë i vlefshëm, por kjo tani do të varet nga Sylvinho dhe jo nga unë.”

Për trajnerin italian, shkrirja e të rinjve me “gardën” e vjetër ishte pjesa qe nuk funksionoi.

“Të rinjtë ishin ata që ndoshta u vonuan pak për t’u ingranuar me skuadrën e parë. Pra, mes “gardës” së vjetër dhe lojtarëve të rinj pati pak vështirësi në përshtatjeje. Unë mendoja se të rinjtë mund të jepnin diçka më shumë dhe mund ta japin nëse ndryshojnë sjelljen në fushë dhe tregojnë dashuri për fanellën e Kombëtares. Ata nuk duhet të pretendojnë asgjë, të rinjtë duhet vetëm të jenë të kënaqur që janë pjesë e kësaj Kombëtareje dhe nëse luajnë apo jo duhet të pranojnë zgjedhjet e trajnerit”.

Pengu i vetëm për trajnerin Reja?

“Dy ndeshjet me Islandën. Duhet t’i fitonim të dyja ndeshjet si në transfertë, po ashtu edhe këtu.”

Sa i përket lojtarit më të mirë te Shqipëria, Reja nguron ta thotë me bindje, por Abrashi është ai i cili e ka impresionuar më shumë.

“Nuk mund të them një emër. Abrashi, Gjimshiti, Hysaj, por edhe Berisha janë ata që më kanë dhënë një “dorë”. Për rëndësinë që ka treguar ndaj fanellës, mund të them Abrashi. Ai është një lojtar që ngjason shumë me mua, me shumë temperament dhe forcë fizike. Abrashi është lojtari me të cilin jam i lidhur pak më shumë”.

Dhe në fund dashuria me Shqipërinë do të vazhdojë sepse këtu, Reja ka lënë një copëz të zemrës së tij…

“Do të jem gjithmonë shumë i lidhur me Shqipërinë. Në Itali ka shumë shqiptarë dhe sa herë kthehesha atje, gjithmonë më kërkonin një fanellë. Jam i lidhur me këtë vend. Këtu kam lënë një copëz të zemrës time, sepse vërtet jam ndjerë shumë mirë. Jam krenar që kam qenë pjesë e Shqipërisë sepse ka qenë përgjegjësi e madhe dhe dhashë gjithçka që kisha. Bëra mirë apo bëra keq, këtë do ta gjykojnë të tjerët”.