Karriera e profesoratit të universiteteve dhe kriteret e vlerësimit/ Artan Fuga: Kandidatët për profesorë nuk duhen shtyrë, nxitur, hedhur në rrugën e korrupsionit intelektual

Karriera e profesoratit të universiteteve dhe kriteret e vlerësimit/ Artan Fuga: Kandidatët për profesorë nuk duhen shtyrë, nxitur, hedhur në rrugën e korrupsionit intelektual

Fuga

Nga Artan Fuga
Kandidatët për profesorë nuk duhen shtyrë, nxitur, hedhur në rrugën e korrupsionit intelektual sikurse kanë bërë në vite sistemet e kualifikimit!
(5 parime të thjeshta alternative)
———————-
Për karrierën e profesoratit të universiteteve dhe kriteret e vlerësimit të saj ka disa konfuzione të rënda:
1. Nuk duhet ngatërruar vlerësimi i rezultateve të punës për mbështetjen e karrierës të një profesori universiteti dhe të një kërkuesi shkencor. Aplikimi i kritereve të njëjta për të llojet e karrierave shkatërron të dyja profesionet!
2. Nuk mund të barazohet suksesi i një përvoje në punë shkencore thjesht me numrin e botimeve. Në këtë mënyrë nuk matet suksesi i punës shkencore, por suksesi në komunikimin masiv, në botime. Kjo e kthen punën shkencore në një formë pa përmbajtje. Shumë e rrezikshme.
3. Nuk mund të konsiderohet se instanca për të gjykuar cilësinë e punës shkencore janë thjesht redaksitë e revistave të huaja, me ose pa faktor impakti. Redaksitë e revistave kanë strategjitë e tyre, kurse punën punën shkencore në Shqipëri duhet ta certifikojë komuniteti shkencor i vendit. Ndryshe janë të hapura rrugët e të gjitha matrapazlliqeve dhe korrupsionit intelektual dhe financiar.
4. Puna shkencore nuk duhet ngatërrohet me përsiatjet shkencore divulgative, plagjiate të përmirësuara. Kërkimi shkencor është të zbulosh, të përgjithësosh, të hapësh rrugë në aplikime, prandaj puna shkencore duhet të certifikohet nga rezultate jashtëshkencore: Çfarë i ka sjellë ajo vendit? Për këtë duhen përpunuar kritere matëse.
5. Në vlerësimin e karrierës të profesorëve dhe punonjësve shkencorë nuk duhet ngatërruar shokët, kolegët, miqtë, nga njëra anë dhe oponentët nga ana tjetër. Juritë nuk mund të kompozohen as brenda institucioneve ku punon i interesuari, as nuk mund të organizohen prej tyre ,sepse gëlon trafiku amoral. Parimi që institucioni përcakton titujt e profesorëve të vet është një shkatërrim intelektual dhe që e kthen sistemin e oponencave në sistem allishverishesh. Për çdo element të dosjes duhet ngritur një sistem oponencash me rastin e shqyrtimit të dosjeve dhe jo të merren nga koha e kaluar.
Realizimi i oponencave kolektive ose individuale të pavarura është baza e çdo vlerësimi.
6. Kërkesat për punë shkencore nga një titull më i ulët te një më i lartë shkencor nuk është çështje numrash, shto ujë dhe shto miell dhe përvëlo petulla. Tjetër punë shkencore duhet për prof. as. tjetër për prof, tjetër për akademik të asoc, tjetër për akademik. Këta nuk mund të dallohen nga sasia thjesht sikundër në mënyrë krejt të trashë është konceptuar.
Kërkesa që për një libër në gjuhën shqipe të merret oponenca e një profesori të huaj që as e njeh fushën, as objektin e studimit, dhe as nuk di shqip fare është thjesht një çmenduri, budallallëk dhe pisllëk intelektual që ndot!
Kandidatët për profesorë nuk duhen shtyrë, nxitur, hedhur në rrugën e korrupsionit intelektual sikurse kanë bërë në vite sistemet e kualifikimit sepse të ndershmëve u duhet shumë punë për të përballuar tundimet ku kërkon t’i bëjë pis sistemi!
Ende nuk e kuptoni se keni dështuar tërësisht me këto kritere?


Këtë e pëlqejnë %d blogues: