Jorida Tabaku: Pakoja e qeverisë, për të hequr vëmendjen nga problemet

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku teksa i referohet shifrave të INSTAT thotë se të varfrit vazhdojnë të varfërohen, shtresa e mesme po zhduket dhe është vetëm një pakicë që komandon ekonominë dhe shtetin.

Me anë të një postimi në Facebook, Tabaku shkruan se ky sistem vetëm sa siguron varfërimin e mëtejshëm të të varfërve dhe pasurimin e mëtejshëm të një klike.

Sipas saj, pakoja e qeverisë një mënyrë për të hequr vëmendjen nga problemet e një qeverie socialiste që ka prodhuar inflacionin, varfërinë dhe pabarazinë.

Reagimi i Tabakut

Si e kanë përballuar shqiptarët rritjen e çmimeve me 7.4%?

Sipas INSTAT 45% e shqiptarëve janë zgrip të varfërisë, mbi 600 mijë janë në varfëri.

Sa e keni ndjerë ju rritjen e çmimeve?

Nën qeverisjen socialiste; të varfërit vazhdojnë të varfërohen, shtresa e mesme po zhduket, vetëm një pakicë komandon ekonominë, shtetin dhe praktikisht Shqipërinë.

Një sistem i manipuluar në zanafillë që punon për pakicën nuk mund të prodhojë rritje ekonomike dhe as ulje të pabarazisë. Ky sistem vetëm sa siguron varfërimin e mëtejshëm të të varfërve dhe pasurimin e mëtejshëm të një klike.

Për të ndryshuar sistemin na duhet të kemi treg të lirë, luftë korrupsionit, taksa të ulëta dhe mobilitet social. Pakoja e qeverisë është shumë vonë dhe shumë pak, një mënyrë për të hequr vëmendjen nga problemet e një qeverie socialiste që ka prodhuar inflacionin, varfërinë dhe pabarazinë.