Inside Story/ Si ndërtohet skema e pastrimit të parave në sektorin e ndërtimit?

Shtetasi A shtetas shqiptar, është kthyer në Shqipëri pas një qëndrimi të gjatë në një shtet të Amerikës së Jugut, për të cilin kishte të dhëna se ishte i përfshirë në trafikim të lëndëve narkotike.

Ky shtetas regjistroi në Shqipëri, shoqërinë tregtare ‘DEF’ me fushë veprimtarie ‘import – eksport të mallrave të ndryshëm’ duke deklaruar se mallrat do të importoheshin nga vendi ku kishte qëndruar prej shumë vitesh.

Për zhvillimin e kësaj veprimtarie tregtare shtetasi A mori hua shumën prej 300,000 EUR nga shtetasi B, për të cilin u zbuluan gjetje negative për përfshirje në veprën penale të mashtrimit.

Nga verifikimet e kryera shtetasi A kishte lidhur disa kontrata për investime në pasuri të paluajtshme dhe një marrëveshje ndërmjetësimi me shtetasen X, për shitjet e pasurive të paluajtshme të kësaj të fundit, ku shtetasi A do të përfitonte një shumë të konsiderueshme fondesh, nga roli i tij si ndërmjetës.
Në lidhje me shtetasen X rezultoi të jetë bashkëshortja e shtetasit të quajtur Y, ku për këtë të fundit disponohen të dhëna për përfshirje në veprimtari kriminale.

Nga analiza e veprimtarisë së shtetases X u konstatuan disa anomali:

Shtetasja X kishte përfituar nëpërmjet dhurimit një pasuri e paluajtshme në vlerë të lartë tregu, në pronësi të disa shtetasve, familjarë midis tyre. Prona ndodhej në një njësi administrative, administratorja e së cilës ishte shtetasja C, e cila lëshoi vërtetimin përkatës për të mundësuar tjetërsimin e pronës. Nga të dhënat e gjeneruara nga burimet e hapura, shtetasja C rezultoi lidhje e afërt familjare me shtetasin Y

Shtetasja X rezulton se ka kryer disa transaksione të njëpasnjëshme të shit-blerjes së pasurive të paluajtshme, kundrejt palëve për të cilët ka dyshime për përfshirje në veprimtari kriminale;
Bazuar në dyshimet:

Regjistrimi i një aktiviteti tregtar nga persona të përfshirë në trafikim të lëndëve narkotike dhe dyshimet lidhur me aktivitetin real të tyre; Përfshirja në transaksione të shit-blerjes, dhurimit të pasurive të paluajtshme në vlera të larta të shtetasve të dyshuar për përfshirje në veprimtari kriminale.