Inside Story/ Pastrimi i parave, ndërtimi sektori më i favorizuar! Ekspertët: Biznesmenët bëjnë martesa financiare me paratë e krimit

Gati 380 mld lekë kanë qarkulluar vetëm gjatë tetorit 2022 jashtë sistemit bankar. Niveli më i lartë i parasë informale që nga 2013-ta kur Banka e Shqipërisë ka nisur të masë këtë fenomen.

Nuk ka një vlerësim se si janë të ndara këto para, por ekspertët vlerësojnë që paratë jashtë banke mund të jenë para krimi, evazioni, korrupsioni dhe para të ndershme, por që nuk duan të deklarohen.

Para që zotëruesit përpiqen ti pastrojnë në sektorë të ndryshëm, ose që presin të amnistohen nga qeveria.
Raportet periodike ndërkombëtare, kanë vënë theksin ndër vite se sektori i ndërtimit është sektori më i preferuar në Shqipëri për pastrimin e parave.

Gjatë 2022 tregu i pasurive të paluajtshme ishte 1,1 mld euro me 17% rritje nga 2021, sipas të dhënave të NAREA, shoqata kombëtare shqiptare e Pasurive të Paluajtshme.

“Segmente të caktuara biznesi për shkak të mungesës së likuiditetit kanë qenë të detyruar të bëjnë marrëveshje, martesa financiare me paratë me origjinë të paligjshme që do të thotë këto para kanë penetruar në kontrata koncesionare hidrocentrale, minierash dhe ndërtimi për shumë arsye, ndoshta edhe për shkak të tolerancës së treguar nga agjencitë ligjzbatuese sepse nuk ka si shpjegohet që 45% e të ardhurave të bashkisë së Tiranës vinin nga këto leje, ndërkohë që gjysma e kompanive ndërtuese nuk kishin përvojë të mëparshme dhe aq më pak të zotëronin kapitale të mjaftueshme për të kryer investimin”, u shpreh Zef Preçi, Drejtor Ekzekutiv në ACER.

Këtë fakt e konfirmojnë edhe noterët për “Inside Story” jashtë kamerave. Disa syresh të kontaktuar nga programi shpjegojnë se shpesh persona me para të padeklaruara të fituara në mënyra të ndryshme, me aktivitete të jashtëligjshme, kërkojnë biznese te noterët për të investuar 20%.

Ndërtuesit mendojnë se Komisionet rëndojnë biznesin dhe i krijojnë kosto klientit. Kur merret leja e ndërtimit minimum ndërtuesi ka derdhur taksë 11%: taksën në infratsrukturës dhe 3 % atë për të pastrehës. Shtoji këtyre normat e kredisë dhe garancitë bankare e që të jenë të përballueshme, ndërtuesitpranojnë se do të drejtohen diku.

“Ndryshimet e shpeshta të pronësisë, ndryshimet mbas marrjes së lejes së ndërtimit, përfshirja e qytetarëve të huaj pa ndonjë investigim etj, e kanë shndërruar Tiranën dhe bregdetin ku para të kësaj natyre penetrojnë më lehtë në këtë sektor se në sektorë të tjerë të ekonomisë”, u shpreh Zef Preçi, Drejtor Ekzekutiv, ACER

Moneyval i cili është një mekanizëm i Komisionit Europian që bën vlerësimin e riskut të pastrimit të parave, në raportin e radhës që publikoi në maj për vitin 2021 u ndal edhe në mbarëvajtjen e përgjithshme të vendeve që janë në monitorim të zgjeruar, ku bën pjesë edhe Shqipëria.

Konkluzionet e raportit citojnë se ky vend nuk ka përmirësuar në mënyrë të konsiderueshme masat për të luftuar pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit në përputhje me rekomandimet. Ndër të tjera, raporti analizoi standardet e reja ndërkombëtare të aplikuara për asetet virtuale, duke përfshirë, kriptovalutat dhe ofruesit e këtyre aseteve. Moneyval vendosi që Shqipëria të mbetet në monitorim të zgjeruar dhe të raportojë më tej mbi progresin e mëtejshëm për të forcuar zbatimin e masave mbi pastrimin e parave dhe luftës ndaj terrorizmit në baza vjetore.