Gjykata shpall të pafajshëm ish-kryeministrin çek të akuzuar për vjedhje

Një gjykatë në Pragë shpalli të pafajshëm ish-kryeministrin Andrej Babis i cili ishte akuzuar për mashtrim me subvencione të Bashkimit Europian në vlerën e 2 milionë dollarëve.

Prokuroria kishte kërkuar dënimin me kusht për 3 vjet dhe një gjobë prej 440 mijë dollarësh për ish-kryeministrin dhe mund ta apelojë vendimin e gjykatës.

Zoti Babis kishte deklaruar se ishte i pafajshëm dhe se akuzat ndaj tij ishin ngritur për qëllime politike.

Vetë zoti Babis nuk ishte i pranishëm në Gjykatën e Pragës të hënën. Ish- bashkëpunëtorja e tij, Jana Nagyova, e cila nënshkroi kërkesën për subvencion, u shpall gjithashtu e pafajshme.

Vendimi i gjykatës duket se forcon pozitat e zotit Babis pak ditë para raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale në Çeki.

Zoti Babis, gjenerali në pension Petr Pavl, ish drejtues i komitetit ushtarak të NATO-s, si edhe ish rektorja e universitetit, Danuse Nerudova konsiderohen kandidatët kryesorë në zgjedhjet që do të mbahen të premten.