Gati apartamentet për 150 familje në lagjen e re “5 Maji”, Veliaj: Së shpejti hedhim shortin. Ata që bllokojnë për 5 vota, do ikin me bisht ndër shalë më 15 maj

Gati apartamentet për 150 familje në lagjen e re “5 Maji”, Veliaj: Së shpejti hedhim shortin. Ata që bllokojnë për 5 vota, do ikin me bisht ndër shalë më 15 maj

41baea65 71d9 461f 9278 75c2f9348b78 (1)

Në lagjen e re “5 Maji”, e cila po bëhet gati të presë të gjitha ato familje që mbetën pa shtëpi pas tërmetit, kanë përfunduar edhe tre pallate të tjera, ku Bashkia e Tiranës do të sistemojë 150 familje. Kryebashkiaku Erion Veliaj, i cili ishte sot në kantier, për të parë ecurinë e punimeve, jo vetëm për godinat e banimit, por edhe të infrastrukturës përreth dhe institucioneve publike që po ndërtohen paralelisht aty, tha se së shpejti hidhet shorti për 150 familjet e radhës që do të marrin shtëpitë e tyre.

“Sot kemi përfunduar edhe tre godina të reja, kurse e katërta është në përfundim e sipër. Janë 150 apartamente për të cilat do të hidhet shorti i radhës, ku do të strehohen edhe 150 familje të tjera. Ne do vijojmë me këtë ritëm çdo muaj, për çdo pallat që mbaron, familjet e reja marrin shtëpitë, fillojnë një jetë të re. Më vjen mirë që ka filluar edhe ndërtimi i institucioneve publike që do të vijnë këtu, si tatimet, taksat, apo edhe hipoteka e legalizime; pra, këtu do të ketë edhe zyra të administratës, për të dhënë mesazhin se ne si shtet, si bashki, si qeveri, besojmë te ky projekt dhe po transferojmë edhe një pjesë të madhe të stafit tonë, të punonjësve. Ideja jonë e Tiranës policentrike, me Kinostudion, Kombinatin, “5 Majin”, Laprakën, Saukun, Farkën po kthehet realisht në një projekt që njerëzit mund ta shohin dhe ta prekin,” u shpreh Veliaj.

Kreu i Bashkisë, i cili përshëndeti edhe disa prej qytetarëve që janë transferuar tashmë në lagjen e re, tha se ndihet i lumtur që zona po merr jetë e që më në fund, të gjithë qytetarët, edhe ata që ngurruan e iu bashkuan protestave partiake, duke kundërshtuar projektin e rindërtimit, tashmë janë distancuar prej partive dhe kanë vendosur interesin e familjes së tyre mbi atë të partisë.

“Është një bekim i jashtëzakonshëm kur sheh njerëz që të përshëndesin nga ballkoni, merr uratën e bekimet e tyre, të cilët deri dje i takonim nën rrënojat e pallateve që u prishën në Kinostudio, kurse sot janë buzagaz në shtëpi ultra moderne. Kur shikon të gjithë banorët, edhe të pallatit të fundit, të atij sherri politik, që kanë firmosur dhe presin shtëpitë e reja, është vërtet një ditë e mirë për Tiranën. Do të thotë se po rindërtohemi dhe ringrihemi, jo vetëm nga tërmeti, por edhe si shoqëri. Sa më jep keqardhje fakti që partitë futen të bllokojnë një rrugë, një pallat, bllokojnë një autostradë, aq edhe më gëzon fakti që shoqëria është emancipuar më shumë se sa partitë, se e shohin që politikanët i kanë shtëpitë e tyre, asfaltet e tyre, i kanë shkollat, kopshtet e tyre,” tha Veliaj.

Duke marrë edhe shembullin më të fundit, atë të rrugës “Xhon Belushi”, që ishte projekti i radhës i bllokuar nga deputetët e PD, kryebashkiaku kishte këtë apel për qytetarët:

“Thirrja për banorët është: Kini besim! Bashkëpunoni me skuadrën tonë që po shërben, disa në ndërtim, disa te njësia, disa duke bërë supervizimin dhe inxhinierinë, sepse vetëm kur bashkëpunojmë mund të ecim përpara. Kush bllokon nuk ka parë ndonjëherë hajër. U bllokua Astiri tre vite, i lanë njerëzit aty në rrugë. Rruga u bë. Ne i sistemuam, ndërkohë që ata shkuan të kapin një viktimë tjetër. Më në fund kemi 150 apartamente të reja që do të hedhim shortin tani dhe vetëm vonuan ata militantë që besonin tek një parti që bllokon punët. Bënë të njëjtën gjë tek rr. “Xhon Belushi”. Kot! Vetëm vonuan tre ditë një punë që është duke mbaruar dhe që i ka dhënë jetë, i ka rritur vlerën pronës, të gjithë asaj lagjeje. Asfalti nuk është as socialist, as demokrat. Kur shtrohet ua bën mbarë rrugën të gjithëve, u rritet vlera e pronës”.

Tirana është më e madhe se të gjithë ne, shtoi Veliaj, dhe për disa vota më shumë apo më pak, bllokimi nuk është rruga e duhur për të shkuar në zgjedhje.

“Unë e kuptoj, kur vjen fushata njerëzit dalldisin, por çështja është se do vijë prapë 15 maji, do dalin prapë në rrugë dhe njerëzit do thonë: Kush e përdori fushatën për të ndërtuar, për të punuar, për të bashkuar njerëzit dhe kush e përdori për të sabotuar, për të penguar e për t’i përçarë njerëzit. Tirana është më e madhe se të gjithë ne, komuniteti është më i fortë se të gjitha partitë dhe e ardhmja do na gjykojë mbi mënyrën se si jemi sjellë këto ditë. Nëse për tre vota, apo për pesë u themi njerëzve rrini në rrënoja, bllokoni investimet, bëni barrikada ndaj shtetit, atëherë sigurisht do ikin me bisht ndër shalë në datë 15 maj, sepse do gdhijë dielli, do gdhijë dita, do gdhihen njerëzit e do thonë: Ej, çfarë ishte gjithë kjo, çfarë ishin këto 100 ditë sherre, rrëmuja e pengesa? Ftesa për të gjithë qytetarët është: Bashkëpunim, bashkëpunim, bashkëpunim dhe punë, punë, punë!”, deklaroi ai.


Këtë e pëlqejnë %d blogues: