Foto/ U kap i pajisur me antiplumb dhe municion luftarak, 36-vjeçari: Do vras politikanët e Lezhës dhe të zhduk farën e keqe të tyre

Ky është 36-vjeçari Antonio Leka, që u arrestua ditën e sotme në Lezhë, i pajisur me jelek antiplumb dhe municion luftarak.

Gjatë momentit të arrestimit Antonio Leka, nuk ka shfaqur rezistencë ndaj punonjësve të policisë, por u ka thënë këtyre të fundit se ishte nisur në drejtim të Lezhës, për të vrarë politikanët.

“…do vras politikanët e Lezhës, dhe të zhduk farën e keqe të tyre…” – ka pohuar Leka.

Policia pas disa informacioneve të mbledhura në rrugë operative, ka bërë arrestimin e të riut, të cilit gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin e tij, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 1 armë zjarri pistoletë me 5 karikatorë, 1 automatik me 5 karikatorë, 550 fishekë luftarakë për pistoletën dhe automatikun, 1 palë dylbi, 1 antiplumb ushtarak, 1 thikë, 1 çantë ushtarake, 75 gramë lëndë e dyshuar narkotike kanabis dhe rroba kamuflazhi.