Fiks Fare/ “Lekët u dhanë dhe rruga s’u asfaltua”, kallëzohen ish-drejtuesit e Bashkisë së Vaut të Dejës

Zgjerohet skandali i rrugës 100 milionë lekë në fshatin Kaçë, në Bashkinë e Vaut të Dejës, ku ish-drejtuesit e pushtetit vendor janë kallëzuar penalisht në SPAK dhe në Prokurorinë e Shkodrës. Në datë 12 janar 2023, emisioni “Fiks Fare” transmetoi problematikën e kësaj rruge. Banorët u ankuan se rruga e lagjes së tyre është e paasfaltuar, plot me gropa. Madje, kryeplaku tha se rrugët e tjera të këtij fshati janë asfaltuar në vititn 2019 dhe vetëm ajo pjesë ngeli me gropa.

“Erdhën këtej e andej dhe vetëm këtë e lanë me gropa” thanë banorët. Nëpërmjet vëzhgimit dhe dokumenteve, kamera e Fiksit faktoi se paratë ishin dhënë, ishte bërë një projekt, me hartë dhe të gjitha preventivet. Por, sërish rruga ishte e paasfaltuar.

Pas transmetimit të këtij investigimi, firma e cila fitoi tenderin, “Rroku Guest”, i ktheu përgjigje pyetjeve të cilat Fiks fare ia kishte adresuar. Ja se çfarë shkruan firma; “së pari ju falënderojmë për faktin që na keni kontaktuar. Ne jemi vënë në dijeni nga Bashkia me kërkesën e banorëve pasi kemi kërkuar çlirimin e garancisë prej 5%. Ne kemi zbatuar pikë për pikë sasitë dhe të dhënat e preventivit. Projekti ka qenë gjithëpërfshirës. Bashkia kishte bërë projekt të plotë për të gjithë fshatin, por ka prokuruar një pjesë të projektit. Kolaudimi dhe marrja në dorëzim e punimeve është bërë për aq sasi punimesh sa ishin në preventivin fitues. Kjo pasi projekti nuk i korrespondonte sasive të preventivit”.

Më tej, kjo firmë shkruan se këtë problematikë ia kanë parashtruar edhe administratës së atëhershme. “Nga projekti total që ka qenë, për shkak të mosrakordimit të preventivit me projektin, ka ngelur një segment pa u asfaltuar, parashikuar që të bëhej me një fazë të dytë” shkruan firma. Pra firma zbatuese e pranon se projekti ka qenë gabim. Por askush nuk ndërhyri, duke sjellë që një pjesë e rrugës të mos asfaltohej, megjithëse ishin bërë të gjitha letrat.

Disa ditë pas transmetimit të kësaj problematike në Fiks Fare, Bashkia e Vaut të Dejës ka bërë një kallëzim penal për Zef Hilën, ish kryetar i bashkisë, Admir Hasmegaj, ish nënkryetar. Kallëzim është bërë edhe për anëtarët e njësisë së prokurimit, të komisionit të vlerësimit të ofertave si dhe të komisionit të marrjes në dorëzim të objektit. Madje, edhe ndaj çdo personi apo firme, që mund të ketë përgjegjësi penale. Kallëzimi është bërë me akuzat e shpërdorimit të detyrës, korrupsionit pasiv dhe aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë.

Fiks Fare ka siguruar një kopje të këtij kallëzimi, ku thuhet se Bashkia e Vaut të Dejës, në verën e vitit 2019, duhet të përcaktonte në tender se cila pjesë e projektit do të zbatohej. “Në procedurën e tenderimit nuk është specifikuar se cila pjesë do asfaltohej. S’ishte përcaktuar as në specifikime teknike dhe as në projekt, se nga të gjitha akset e paraqitura në projektin e hartuar do të zbatoheshin vetëm një pjesë e tyre. Dokumentet e këtij tenderi nuk përcaktojnë aq që procedura ishte me faza!” thuhet në këtë dokument. Sipas saj, në dosjen e zbatimit nuk gjendet një procedurë për ndryshim projekti. Apo edhe për mospërputhje volumesh mes preventivit dhe projektit te tenderuar. Në vitin 2019, bashkia s’ka asnjë shkresë e cila duhet të përcaktonte se cilën pjesë të projektit do të zbatohej.

“Nga shqyrtimi i dokumentacionit teknik të këtij objekti, projekti i azhornuar është i njëjtë me projektin e plotë të tenderuar” thuhet në kallëzim. Në dosjen e prokurimeve është edhe një dokument, akti i marrjes në dorëzim të punimeve, i datës 2 gusht 2019. Në këtë dokument, të lëshuar nga Bashkia e Vaut të Dejës, të firmosur nga përfaqësues të firmës dhe të bashkisë, shkruhet se “nga kontrolli i ushtruar në objekt rezultoi se janë zbatuar kushtet teknike të punimeve sipas projektit të paraqitur në ofertën fituese”.

Pra shkruhet mjaft qartë se “sipas projektit”, ndryshe nga sa deklaron firma. Të gjitha këto shkelje sollën pasoja të banorët e zonës, të cilët gdhihen dhe ngrysen në rrugën me baltë dhe gropa. Pavarësisht se në letra rezulton e asfaltuar!