Faza e parë e Portit të ri në Porto Romanos tenderohet këtë vit, kush janë objektet që përfundojnë deri më 2025

Punimet në këtë fazë kanë një kosto rreth 390 milionë euro dhe pritet të përfundojnë brenda vitit 2025 bëjnë me dije burimet nga Autoriteti Portual i Durrësit.
Faza e parë e ndërtimit përfshin ndërtimin e terminalit të kontejnerëve, lidhjen me infrastrukturën rrugore, hekurudhore, rrjetin e kanalizimeve, energjisë elektrike dhe furnizimin me ujë.
Në këtë fazë do të ndërtohet gjithashtu një objekti detar, fushëveprimi i të cilit ende nuk është përcaktuar.
Në këtë fazë do të ndërtohen vendbregëzimet, ndërtesat e përbashkëta, ndërtesa e zyrave doganore dhe agjencive të tjera, porta kryesore e portit, objektet e sigurisë dhe mbrojtjes civile, zyrat e kapitenerisë së portit dhe kulla e kontrollit të VTS, nënstacione etj.
APD, me mbështetjen e Ministrisë së infrastrukturës dhe Energjisë do të sigurojë të gjitha miratimet e nevojshme për të realizuar fazat e tenderimit dhe ndërtimit (nga 2023 e në vijim) në varësi të mundësive financiare.
Përveç përpunimit të mallrave rreth 2 milionë kontejnerë në vit, Porti i ri Porto Romanos parashikohet të përpunojë deri në 1 milionë pasagjerë në vit, edhe pse ky shërbim ishte lënë për tu kryer nga Marina e Jahteve në Durrës.
Autoriteti Portual i Durrësit ka lidhur tashmë një kontratë konsulence me bashkimin e operatorëve “HASKONINGDHV NEDERLAND B.V. – ADEC ENGINEERING CONSULTANCY L.L.C. – ABKONS SH.P.K. -TAULANT SH.P.K. – GEO-ENG SH.P.K.”, për përgatitjen e projektit teknik dhe dokumenteve të tenderit për ndërtimin e Portit të integruar të Durrësit në Porto Romano si edhe pajisjeve/superstrukturës për trajtimin e ngarkesave.
Royal HaskoningDHV që ka punuar për studimin e fisbilitetit për Portin ri në Porto Romano ka finalizuar një kosto totale prej rreth 2 miliardë eurosh për ndërtimin tërësor të portit.
Faza e parë e punimeve pritet të përfundojë në vitin 2025, por i gjithë porti do të përfundojë tërësisht në vitin 2050.
Ndërkohë pala shqiptare ende nuk ka qartësuar formën e financimit të këtij projekti të kushtueshëm dhe strategjik për vendin.
Porti tregtar i Durrësit do të zhvendoset ne Porto Romano për arsye se në vend të tij do të zhvillohet një projekt i ri me ndërtesa luksoze dhe një marinë jahtesh, një investim me kompani pjesëmarrëse nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Zhvendosja e shërbimeve tregtare nga Porti i Durrësit në Porto Romano do të bëhet në disa faza për një periudhe rreth 20 vjeçare.
Ndërkohë ky proces ka nxitur pasiguri tek investitorët dhe përdoruesit e Portit të Durrësit, pasi ndërtimi i një porti të ri kërkon investime të mëdha dhe një infrastrukturë krejt të re.
Ndërtimi i portit të ri në Porto Romano do të kërkojë financime të konsiderueshme për zbatimin e plotë të tij dhe vetëm në fazën e parë 390 milionë euro pa TVSH. Të paktën 46% e financimit do të sigurohet nga qeveria dhe 54% nga sektori privat. Modeli i një PPP-je në ndërtim duket se do të shtrihet edhe në këtë projekt ndërkohë që edhe operimi do të përfshijë sektorin privat me kontrata specifike një model që e ka aktualisht edhe Porti i Durrësit./Monitor