Dyshohet se shpërndanin lëndë narkotike në lokale dhe shkolla, arrestohen dy persona

Një 40-vjeçar është vënë në pranga, pasi iu gjetën kanabis dhe pajisje që shërbejnë për konsumimin e saj.

Të arrestuarit kishte përshtatur ambientet e lokalit të tij, për përdorimin e lëndëve narkotike.

Në pranga u vu edhe një klient i lokalit, të cilit po ashtu iu gjet sasi kanabisi dhe dorezë metalike.

Nga hetimet e kryera dyshohet se dy të arrestuarit shpërndanin lëndë narkotike në lokal dhe në afërsi të shkollave.

Vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht kryerjen e veprave penale nga të arrestuarit.

Njoftimi plotë:

Mat/Kontrolle të shtuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve.

Kishte përshtatur ambientet e lokalit të tij, për përdorimin e lëndëve narkotike, vihet në pranga 40-vjeçari. Gjatë kontrollit në këtë lokal u gjetën kokainë, kanabis dhe pajisje që shërbejnë për konsumimin e lëndëve narkotike.

Vihet në pranga edhe një shtetas tjetër (klient në lokal), pasi iu gjetën një sasi kanabisi dhe një dorezë metalike.

Nga veprimet hetimore dyshohet se 2 të arrestuarit shpërndanin lëndë narkotike në lokal dhe në afërsi të shkollave.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mat, në vijim të kontrolleve për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, pas informacioneve të siguruara përmes inteligjencës informative, për një shtetas që kishte përshtatur lokalin e tij, për përdorimin e lëndëve narkotike, kanë organizuar punën për dokumentimin e kësaj veprimtarie kriminale.

Gjatë kontrollit në ambientet e lokalit në pronësi të shtetasit A. K., në qytetin e Burrelit, shërbimet e Policisë gjetën sasi lënde të dyshuara narkotike kokainë dhe cannabis sativa, si dhe pajisje të ndryshme që shërbejnë për konsumimin e lëndëve narkotike, të cilat u sekuestruan ne cilësinë e provës materiale.

Në ambientet e lokalit u konstatua edhe shtetasi E. K., të cilit gjatë kontrollit fizik iu gjetën një sasi lënde e dyshuar narkotike cannabis sativa dhe një përforcues grushti (dorezë metalike), të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:

A. K., 40 vjeç, për veprat penale “Përshtatja e lokalit për përdorim droge” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”;

E. K., 30 vjeç, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.

Nga veprimet hetimore dyshohet se shtetasi A. K., në bashkëpunim me shtetasin E. K., shpërndante lëndë narkotike, në lokalin e tij dhe në afërsi të shkollave. Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.