Dynden shumë persona në komisariat, Rozeta Dobi u ka vjedhur sende me vlerë, ja çfarë kanë dëshmuar

Të tjera detaje vijojnë të dalin në dritë lidhur me grabitjen e banesës së ish-zyrtares së lartë, Alda Klosi, nga pastruesja Rozeta Dobi dhe djali i saj Havier Dobi.

Gazetarja e Klan News, Glidona Daci raportoi ditën e sotme se Havier Dobi është shfajësuar para hetuesve duke i hedhur fajin nënës së tij ndërsa ka dyshime se Rozeta Dobi mund të ketë grabitur dhe persona të tjerë pasi edhe në media është aluduar se ndaj saj ka pasur kallëzime të tjera në polici për vjedhje.

Gjatë pasdites së djeshme, 5 deri në 6 persona janë paraqitur në komisariatin e policisë ku kanë pranuar se Rozeta Dobi u ka vjedhur sende me vlerë por ende nuk ka informacion për origjinën e parave.

Hetime po kryhen dhe ndaj Alda Klosit për të bërë verifikimin ligjor të të ardhurave të saj pasi ajo në 2017-ën ka qenë drejtoreshë koncesionesh.

Nëse parave të sekuestruara nuk u gjendet pronari i ligjshëm atëherë ato kalojnë në favor të shtetit.

Kujtojmë se Rozeta Dobi dhe Havier Dobi u arrestuan më 7 Janar për vjedhjen e 120 mijë eurove në shtëpinë ku Rozeta Dobi ishte punonjëse e mirëmbajtjes.

Pas kontrolleve të mëtejshme në banesën e tyre u gjetën dhe mbi 400 mijë euro të tjera në tubin e aspirimit.