Dita Botërore e Arsimit/ Në Shqipëri nis konkursi kombëtar për gjuhën shqipe

Në të gjithë botën të dhënat tregojnë se ka 244 milionë fëmijë dhe të rinj të pashkolluar dhe gjithashtu janë 771 milionë të rritur analfabetë.

Ndaj Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara shpalli 24 janarin si ditën ndërkombëtare të arsimit, si një mënyrë për të sjell në vëmendje rëndësinë që ka arsimi për zhvillimin e kombeve. Një e drejtë që nuk duhet cënohet dhe duhet të jetë gjithëpërfshirëse. Në Shqipëri, kjo ditë u kremtua duke vlerësuar se arsimi cilësor nis së pari nga mbrojtja e gjuhës shqipe.

“Sot në ditën e arsimit do të ndërmarrim një nismë për të gjitha shkollat me krijimin e konkursit kombëtar për gjuhën shqipe për ta përforcuar atë brez pas brezi”, tha ministrja Evis Kushi.

Gjuha shqipe është e kërcënuar nga mosnjohja e rregullave të drejtshkrimit si dhe përdorimi me tepri i fjalëve të huaja, e kjo çështje në kongresin e arsimit të zhvilluar në 2022, u cilësua emergjente.

Ndërkohë që ministria e Arsimit po shqyrton disa propozime të gjuhëtarëve për shtimin e orëve mësimore për gjuhën shqipe në gjimnaz, ndarjen e provimit të maturës gjuhë letërsi më vete, përfshirjen e gjuhës shqipe në universitete si dhe hartimin e një testi sipas nivelit gjuhësor si kriter edhe për punësimin e administratës publike.