Debate për heqjen e taksave/ Në Kuvend diskutohet heqja e taksës për hirrën dhe qumështin barista

Heqja e taksës së importit për hirrën dhe kremin e qumështit sollën debate në Komisionin e Ekonomisë.

Ashtu siç edhe Top Channel ka vrojtuar,deputetët ngritën shqetësimin se këto lëndë të para nuk do përdoren për biskota, brioshë apo ëmbëlsira, por për të prodhuar bulmet.

Vullnet Sina: Mos nga kjo hirra e qumështi prodhohet ndonjë gjizë artificiale? Nuk jam kundër atij prodhimi, por se di a është cilësuar i sigurt në parametra nga AKU.

Erion Braçe: A jeni konsultuar me Ministrinë e Bujqësisë dhe të Ushqimit

Zëvendës ministrja: Po, ne jemi konsultuar edhe me ministrinë e linjës dhe kemi marrë konfirmimin.

Erion Braçe: Në konsultimin e gjerë të ministrisë së bujqësisë dhe ushqimit sa produkte që kanë etikë prodhohen sot ku shënohet që janë me qumësht hirre dhe qumësht barista?

Zëvendës ministrja: Këto janë pyetje thellësisht teknike që do duhet t’i adresoni ministrisë përgjegjëse të fushës.

Erion Braçe: Këto janë zëvendësues të qumështit lëng, kurse halli këtu qenka biskota dhe brioshi, ndërkohë halli edhe më i gjerë është blegtoria.

Jorida Tabaku: Pse nuk e miratuat në fund të vitit të kaluar po e sollët tani bashkë me ndryshimin e dytë, që keni shtuar edhe qumështin barista? Këto nene selektive që vijnë me paketën fiskale, po prishin balancën edhe konkurrencën në treg dhe po bëhen një normë në parlament.

Niko Lera: Bashkëpunimi me Ministrinë e Bujqësisë për të na ndihmuar se cilat politika fiskale incentivuese duhet të përdorim normalisht nuk ka qenë në nivelin e duhur dhe duhet të jetë më i mirë. Për hirrën erdhën të gjitha kompanitë që eksportojnë produktet si biskota dhe kroasant na thanë, pse na rrisni kostot e prodhimit dhe na pengoni të eksportojmë.”

Në paketën fiskale të vitit të kaluar përveç këtyre produkteve u taksua edhe qumështi pluhur, por më pas ligji u ndryshua për të përjashtuar kompanitë e përpunimit të qumështit dhe baxhot.