Çështja e 21 janarit/ “Regjistrimet e serverit nuk fshihen dot”, batuta e Brahos: Rama ishte te bishti i urës, kishte frikë se është i gjatë

Çështja e 21 janarit/ “Regjistrimet e serverit nuk fshihen dot”, batuta e Brahos: Rama ishte te bishti i urës, kishte frikë se është i gjatë

Braho9

Ish-deputeti socialist, Spartak Braho i ftuar në studion e emisionit “Frontline” në News24 ka folur në lidhje me çështjen e 21 janarit dhe regjistrimeve të reja që kanë dalë në dritë lidhur me të.

Braho deklaroi se këto regjistrime janë indicie për thellimin e organit të hetimit për të gjetur prova, teksa shtoi se vetë protesta e 21 janarit dukej sikur ishte e përgatitur për dhunë pasi kishte një grup të pajisur me shkopinj e leva.

Sakaq, ai vijoi më tej duke thënë se kryeministri Rama gjatë tubimit të para 12 viteve nuk shkoi te dera e kryeministrisë pasi mori një informacion se mund të qëllohej drejt turmës, ndërsa me tonë humoristike përmendi se “kishte frikë pasi është i gjatë dhe mund ta kapnin plumbat kollaj”.

Sa i përket hetimit Braho u shpreh se SPAK duhet të fillojë menjëherë hetimet nëse është organ serioz, ndërsa tregoi se regjistrimet e kryera atë ditë nuk mund të fshihen pasi ka mënyra për nxjerrjen e tyre edhe pas një fshirjeje sipërfaqësore.

“Prova është tjetër, indicia është tjetër. Indicie janë këto përgjime. I japin mundësi organit të hetimit të thellohet nëse janë të vërteta dhe nëse pas tyre ka prova. Unë e përgëzoj Artan Hoxhën dhe gjithë median për jehonën e kësaj ngjarjeje tragjike. Unë kam shumë vërejtje edhe për organizimin e protestës. Duket sikur ishte përgatitur edhe një grup që do ushtronte dhunë, me shkopinj e leva.

Saliu tha çadra pistoletë, por dhuna ishte prezente gjithsesi. Aty është plagosur rëndë një polic, kush e dhunoi atë? Jo tregon se ata protestues përveç se iu përgjigjën thirrjes për protestë ishin të pa instruktuar sepse pranë Ramës kishte një shtab për protestën që lejuan që disa persona të dilnin jashtë kontrollit, tentuan të fusin edhe një automjet atje. Rama duhet të thirrej medoemos në prokurori. Rama nuk shkoi te dera, qëndroi te bishti i urës se i erdhi një informacion që mund të qëllonin drejt turmës, ngaqë është dhe i gjatë e kapnin kollaj, trim i madh nuk është.

Ceremonia është një demagogji, më duket tallje e një tragji-komedie të stërzgjatur, më duket tallje për familjet e viktimave që nuk dinë ende autorët e ngjarjes. Unë mendoj se çështja nga pikëpamja ligjore është e kopsitur, është e goditur edhe nocioni që përdori ministri i drejtësisë Manja, që jemi para një krimi shtetëror. 21 janari është hetuar jo plotësisht. Ato nuk ishin vrasje personale, por ishin vrasje që u bënë nga strukturat e shtetit, kur Manja thotë vrasje shtetërore ka parasysh që ai që duhet të mbajë përgjegjësi është Berisha.

SPAK duhet të fillojë menjëherë hetimet nëse është organ serioz. Se si kanë dalë regjistrimet e di vetëm Artan Hoxha. Ardhja e Dumanit s’ka të bëjë fare me 21 janarin, rëndësi ka që në një moment të caktuar gazetari pati kurajën t’i bënte publike këto regjistrime dhe për këtë e falënderoj. Asnjëherë nuk fshihen regjistrimet në server, ato ekzistojnë diku. Tentoi t’i fshinte Dritan Prifti por kur u ekspertua në Amerikë dolën shumë gjëra. Qeliza bazë aty mbetet, me programe të posaçme ato janë regjistruar diku, mund të fshihen në mënyrë sipërfaqësore, por arrijnë që të mbeten.

Do shkojnë gjërat në vend, shtetin këtu e shpëton vetëm drejtësia, e cila ka munguar. Unë shpresoj te kjo drejtësi, në rastin e 21 janarit ka dhe një problem që është se regjistrimet e paraqitura janë në përbërjen e tyre me emra konkretë. Është Hysni Burgaj, Drejtor i Policisë në ato vite, Ndrea Prendi, është implikuar dhe Basha që bëri një tentativë për të devijuar hetimin pasi u angazhua atëherë një gazetar që kërkoi të bindte opinionin se ai që u vra te dera u vra nga turma. Krye skandali i veprimeve hetimore është që pas kryeprokurorja Ina Rama nxori 6 urdhra arresti dhe prokurorët me urdhra në dorë vajtën në dyert e Gardës i lanë mbrapa, nuk patën forcë. Ky rast nuk është hetuar, është ruajtur me autoritetin e shtetit. Kush ka autoritet të ndalojë urdhrat e prokurorisë”, tha ai.


Këtë e pëlqejnë %d blogues: