​BSH do të rishtyp tre monedha metalike dhe kartëmonedhën 1000 lekëshe

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë analizoi veprimtarinë e tij për vitin 2022 dhe miratoi programin e punës për vitin 2023, së bashku me kalendarin e mbledhjeve që do të zhvillojë gjatë këtij viti.

Në një njoftim për shtyp Banka e Shqipërisë bën të ditur se, Këshilli Mbikëqyrës miratoi rishtypjen e monedhave metalike shqiptare me kurs ligjor me prerje 5, 10 dhe 100 lekë dhe kartëmonedhave shqiptare me kurs ligjor me prerje 1000 lekë.

“Ky vendim parashikon rishtypjen e monedhës metalike 5, 10 dhe 100 lekë dhe kartëmonedhave 1000 lekë, me kurs ligjor, me qëllim plotësimin e kërkesave të ekonomisë për para, në vlerë dhe strukturë, si dhe sigurimin e një furnizimi të rregullt me to, për një periudhë disa vjeçare”, njoftoi BSH-ja.

Sipas BSH-së, Këshilli Mbikëqyrës u njoh dhe me informacione të tjera të lidhura me veprimtarinë e përditshme funksionale dhe operacionale të Bankës së Shqipërisë.