Biden merr vendimin, ja kush pritet të zëvendësojë ambasadoren Yuri Kim në Shqipëri. Zyrtari amerikan në vitet 90 ishte pjesë e zyrës politike

David J. Kostelancik, shërben aktualisht si Këshilltar për Politikën e Jashtme i Shefit të Shtatmadhorisë amerikane, Gjeneral Mark Milley. Ai ka shërbyer më më herët si zëvendës Shef i Misionit dhe për dy vjet, si i Ngarkuar me Punë i përkohshëm në Ambasadën e SHBA-së në Budapest të Hungarisë.
Ai ka mbajtur gjithashtu pozicionet e Drejtorit të Zyrës për Çështjet e Evropës Jugore Qendrore dhe Drejtorit të Zyrës për Çështjet Ruse, në Byronë për Çështjet e Evropës dhe Euroazisë si dhe të Drejtorit të Zyrës së Evropës dhe Azisë në Byronë Ndërkombëtare për Çështjet e Narkotikëve dhe Zbatmit të Ligjit.
Zoti Kostelancik ka shërbyer dy herë në Ambasadën amerikane në Moskë.
Ai ka shërbyer edhe në misionet e SHBA-së në OSBE dhe NATO. Ai ka shërbyer gjithashtu edhe në Ankara të Turqisë.
Diplomati Kostelancik, me origjinë nga shteti i Ilinoit, është diplomuar në Universitetin Northwestern të këtij shteti. Ai ka gjihashtu dy diploma master nga Kolegji Kombëtar i Luftës, dhe Universiteti i Miçiganit. Ai flet rusisht, hungarisht, shqip dhe turqisht.
Nëse kandidatura e tij miratohet nga Senati, diplomati Kostelancik do të zëvendësojë ambasadoren aktuale amerikane në Shqipëri, Yuri Kim./VOA