“21 Janari”, Ministri i Drejtësisë: Drejtësia e re të bëjë detyrën, duket qartësisht kush janë ekzekutorët

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja në një deklaratë për mediat u bëri thirrje organeve të drejtësisë që të hetojnë “21 Janarin”.

Ai theksoi se dosja duhet të ishte në SPAK që ditën e parë të krijimit të tij.

Ministri u shpreh se drejtësia e re duhet të bëjë detyrën dhe se kjo dosje është një sprovë e madhe për ta.

Manja: Në emër të qytetarëve e kam për detyrë të ngre zërin, dosja e vrasjes së tyre nuk mund të konsiderohet e hetuar për sa kohë nuk mund të hetohet si krim shtetëror. Kjo dosje nuk duhet të vazhdojë akoma sa tek një prokuror tek tjetri që bien me radhë nga vetingu. Nga kjo provë dhe të tjera duhet të ishte transferuar në Spak. Duhet të kishte shkuar që në ditën parë të krijimit të Spak. Për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë. Nuk dua të bëj prokurorin, por si qytetar e kam për detyrë të kërkoj hetimin e së vërtetës objektive në emër të drejtësisë së shkelur. Koha është tani, zbardhja e këtij krimi ka të bëjë me të ardhmen e drejtësisë. As më shumë e as më pak që drejtësia e re të bëjë detyrën. Duket qartësisht se kush janë ekzekutorët në një kohë që protesta ishte drejt shpërndarjes. Shumë prova mund të dalin në dritë pas hetimit të 21 Janarit. 21 janari është sprova e kësaj drejtësie.