100 euro, kartëmonedha më e falsifikuar në Kosovë/ Para false dhe në bankomate!

Paratë e falsifikuara kanë vazhduar të qarkullojnë në Kosovë, edhe pse vitin e kaluar u shënua një rënie e numrit të tyre krahasuar me vitin paraprak.

Autoritetet thonë se kartëmonedha më e falsifikuar ishte ajo prej 100 eurosh, ndërsa tek monedhat, në qarkullim janë më shumë 2 eurot e rreme.

“Në vitin 2021 kemi pasur gjithsej 5625 kartëmonedha të falsifikuara, ku kartëmonedha më e falsifikuar ka rezultuar kartëmonedha në vlerë 100 euro, pra 2639 ka qenë numri i kartëmonedhës dhe verifikohet që ka qenë një nga kartëmonedhat më të falsifikuara, ndërsa sa i përket monedhave në vitin e njëjtë kanë qenë gjithsej 10 mijë e 589 dhe nga ky numër monedha më e falsifikuar rezulton monedha në vlerë 2 euro, shifra e të cilës është 9 mijë e 991 copë”, tha Feriz Selimaj, specialist i Agjencisë Kosovare për Forenzikë.

Selimaj tregon disa nga hapat për të diktuar paratë e falsifikuara pa qenë nevoja të përdoren aparaturat.

“Ta prekësh me dorë se a është kartëmonedha origjinale apo jo, janë disa tipare që ndjehen përmes dorës, dhe kontrollo, i drejtohemi dritës normale dhe vlera e kartëmonedhës kur shikohet në dritë krijohet vlera e kartëmonedhës dhe shenja e ujorit është e dukshme në dritë… Tjetër tipar janë nën rrezet infra të kuqe”, shtoi Selimaj.

Sipas të dhënave policore, rastet më të shpeshta të falsifikimit të parave janë bankat që përmes bankomateve kanë marrë para të falsifikuara, por edhe nga supermarkete te ndryshme e pika karburanti.