Zhdukja e Vis Martinajt, Klodiana Lala zbardh detaje të reja dhe rrëfen bisedën e ashpër me xhaxhain

Gazetarja Klodiana Lala, ka folur për profesionin e saj si gazetare investigative.

Gjatë një interviste televizive, gazetarja ka folur për një nga çështjet më të nxehta të kohëve të fundit, atë të Ervis Martinajt.

Gazetarja u shpreh se nuk ka abuzuar në asnjë gërmë që ka shkruar për këtë çështje duke thënë se është treguar shumë e kujdesshme dhe se ka folur vetëm me prova dhe fakte.

Ajo ka treguar se ka patur një bisedë shumë të ashpër me xhaxhain e Martinajt, ndërsa ka treguar se profesionin e saj nuk e ka përdorur kurrë për të lënduar familjarët.

“Ervis Martinaj është një personazh që tërheq shumë, konsiderohej mbreti i lojërave të fatit. Nuk kam abuzuar në asnjë gërmë, jam treguar e vërtetë me provat dhe faktet. Kam siguruar dhe videot.

Nuk ja kam lejuar vetes sepse ka një familje që mund të jetë jashtë aktivitetit të tij.

Kam biseduar me xhaxhain e tij, ka qenë një bisedë e ashpër. Unë isha e kujdesshme pasi profesionin tim nuk e kam për të lënduar familjarët.

Në raportimet e mia kam qenë shumë e kujdesshme. Atë dosje e ruaj. Patjetër edhe në gjyq po të shkoj jam e hapur. Jam munduar që ti jap publikut prova.

Kam preferuar të jem besnike e fakteve dhe provave. Është një ngjarje që do të vijojë gjatë. Do jetë nëse nuk do të ketë një përfundim nga institucionet. Martinaj ishte një personazh që ndërthurte biznesnin, politikën, showbizzin.

Kudo shkoj më pyesnin për Martinajn. Shkoj për të bërë flokët më pyesin për Martinaj, shkoj te dentisti më pyesin për Martinajn, kudo. Kam një ide që çfarë mund të ketë ndodhur me të por nuk ia lejoj vetes të them unë fjalën e fundit se nuk jam unë ligji”, ka thënë Lala.