Zelensky para G20-ës: Tani është koha për të përfunduar luftën

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, u tha udhëheqësve botërorë se koha për t’i dhënë fund luftës së Rusisë në Ukrainë është “tani”.

“Jam i bindur se tani është koha kur lufta shkatërruese ruse duhet dhe mund të ndalet”, tha ai, duke iu drejtuar samitit të G20-ës, apo grupit të vendeve më të industrializuara, që po mbahet në Bali të Indonezisë.

Ndalja e luftimeve “do të shpëtonte mijëra jetë”, tha Zelensky përmes video-lidhjes.

Zelensky tha se Ukraina nuk do të lejojë që trupat ruse të rigrupohen pas tërheqjes së tyre nga qyteti strategjik i Hersonit dhe paralajmëroi se do të ketë luftime më intensive, derisa forcat e tij të rimarrin kontrollin e gjithë territorit të pushtuar. Çlirimi i Hersonit, të premten e kaluar, ishte një nga sukseset më të mëdha të Ukrainës në luftën e saj kundër pushtimit rus.

Zelensky i kërkoi Moskës që t’i tërheqë të gjitha forcat e saj nga Ukraina dhe të riafirmojë integritetin territorial të Ukrainës.

Ai tha se Ukraina nuk do të rrezikojë sovranitetin, territorin ose pavarësinë e saj.

Zelensky përmendi disa mënyra për arritjen e paqes, përfshirë: garantimin e sigurisë bërthamore dhe ushqimore, përfundimin e armiqësive dhe parandalimin e përshkallëzimit të situatës.

Ai vazhdimisht iu drejtua udhëheqësve si “G19”, duke përjashtuar qartazi Rusinë.

Udhëheqësit e vendeve më të industrializuara në botë hapën të martën bisedimet në ishullin Bali të Indonezisë.

Thirrjet e vendit nikoqir ishin për unitet dhe për veprime konkrete në rimëkëmbjen e ekonomisë globale.

“Ne nuk kemi zgjidhje tjetër, na nevojitet bashkëpunim për të shpëtuar botën”, tha presidenti indonezian, Joko Widodo, përpara se liderët e vendeve më të pasura të fillonin diskutimet me dyer të mbyllura.

“G20-ta duhet të jetë katalizator për rimëkëmbjen gjithëpërfshirëse ekonomike. Ne nuk duhet ta ndajmë botën në pjesë. Nuk duhet të lejojmë që bota të futet në një tjetër luftë të ftohtë”, tha Widodo.

G20-ta, e cila përfshin vende nga Brazili deri në Indi, Arabi Saudite dhe Gjermani, përbën më shumë se 80% të bruto prodhimit të brendshëm të botës, 75% të tregtisë ndërkombëtare dhe 60% të popullsisë. Në samit pritet të merren hapa për të adresuar sigurinë ushqimore, të prekur nga pushtimi rus i Ukrainës, u tha gazetarëve një zyrtar amerikan.

Një shenjë pozitive në prag të samitit ishte takimi mes presidentit të SHBA-së, Joe Biden, dhe udhëheqësit kinez, Xi Jinping, në të cilin dy liderët premtuan komunikime më të shpeshta, pavarësisht dallimeve të mëdha.

Takimi i së hënës ishte i pari sy më sy i tyre prej se Biden mori detyrën e presidentit në vitin 2021. Lufta në Ukrainë dhe rritja globale e inflacionit, megjithatë, hodhën hije mbi samitin. Kjo është hera e parë që G20-ta takohet prej se Rusia ka nisur pushtimin e fqinjit të saj në fund të shkurtit.

Pushtimi nxiti thirrjet e disa liderëve perëndimorë për bojkot të samitit dhe për tërheqjen e ftesës për presidentin rus, Vladimir Putin. Indonezia rezistoi, duke refuzuar ta tërheqë ftesën e Putinit.

Kremlini tha se Putin është shumë i zënë për të marrë pjesë në samit dhe dërgoi ministrin e Jashtëm, Sergei Lavrov, në vend të tij.

Një komunikatë e përbashkët e G20-ës, e cila do të duhej të miratohej nga të gjitha palët, duket e pamundur, edhe pse presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, tha se ka një marrëveshje midis zyrtarëve për tekstin e saj.

Sipas një drafti të parë nga agjencia e lajmeve Reuters, udhëheqësit e G20-ës do të dënojnë përdorimin ose çdo kërcënim për përdorimin e armëve bërthamore.

Mbledhjet e ministrave të G20-ës kanë dështuar të prodhojnë komunikata të përbashkëta, për shkak të mosmarrëveshjeve midis Rusisë dhe anëtarëve të tjerë për gjuhën që duhet përdorur, duke përfshirë edhe atë se si të përshkruhet lufta në Ukrainë.

Perëndimi e ka akuzuar Rusinë për deklarata të papërgjegjshme për përdorimin e mundshëm të armëve bërthamore. Rusia, nga ana e saj, ka akuzuar Perëndimin për retorikë bërthamore “provokuese”./Rel