Surprizat e Kombëtares/ Kuqezinjtë sërish të përgjysmuar, mungojnë emra të mëdhenj

Mbrëmjen e së mërkurës Kombëtarja shqiptare do të luajë miqësoren e luksit me skuadrën kampione të Evropës me Italinë.

Trajneri Reja riktheu të gjithë futbollistët që luajnë në kampionate të ndryshme jashtë Shqipërisë, por një pjesë e tyre nuk i janë bashkuar për arsye se nuk janë lejuar nga klubet.

Kështu nuk do të jenë në dispozicion të trajnerit Reja: Berat Gjimshiti, Myrto Uzuni, Ivan Balliu, Cikalleshi, Ajeti dhe Bekim Balaj, pikërisht për këtë arsye. Në fakt vlen të theksohet se Cikalleshi, Ajeti dhe Balaj, nuk figuronin në listën e futbollistëve të grumbulluar nga trajneri Edoardo Reja përpara pak ditësh.

Ndeshja miqësore mes Kombëtares shqiptare dhe Italisë do të luhet në një datë zyrtare të FIFA-s, megjithatë klubet nuk janë të detyruara që të lejojnë futbollistët e tyre të bashkohen me kombëtaret respektive.

Pas sfidës me Italinë, Kombëtarja kuqezi do të luajë miqësore me Armeninë në 19 nëntor, ndeshje që mund të jetë e fundit e trajnerit Reja në pankinën kuqezi.